Lëvizja Studentore Feministe pengon orën e ligjëratës së Xhevat Krasniqit, 18.04.2024.
VIDEO - Aktivistët ndërprenë orën e profesorit Xhevat Krasniqi, i denoncuar për ngacmim seksual
Me fishkëllima, aktivistë nga Lëvizja Studentore Feministe kanë penguar orën e ligjëratës së profesorit së Universitetit të Prishtinës, Xhevat Krasniqi, i denoncuar për ngacmim seksual të disa studenteve.
KALLXO.com ka siguruar video nga aksioni i aktivistëve.
Përderisa profesori po mbante ligjëratë me studentët e Fakultetit të Edukimit, aktivistët kanë hyrë duke fishkëlluar dhe kanë penguar orën, që ka çuar në largimin e studentëve nga klasa, përderisa Krasniqi ka vazhduar të rrijë në klasë.
Këshilli i Etikës i Universitetit të Prishtinës i ka kërkuar Fakultetit të Edukimit vlerësimin zyrtar të performancës së profesorit të rregullt, Xhevat Krasniqi, në këtë Fakultet, më 17.04.2024.
27 studente të Fakultetit të Mjekësisë, ku Krasniqi jepte lëndën e matematikës si profesor i angazhuar, kanë raportuar se janë ngacmuar seksualisht nga ai.
Lidhur me pretendimet e studenteve se janë ngacmuar seksualisht nga profesori Krasniqi, Fakulteti i Mjekësisë tha më 27.03.2024 se fillimisht ishin informuar gojarisht.
Kurse, denoncimin me shkrim studentet e Fakultetit të Mjekësisë e kishin dorëzuar zyrtarisht më 27.02.2024 në Fakultet.
Pas denoncimit të studenteve, i gjithë menaxhmenti i Mjekësisë, dekan e prodekan, janë mbledhur më 04.03.2024, me ç’rast kanë ftuar edhe profesorin Krasniqi për t’ia kumtuar me gojë denoncimin e studenteve ndaj tij dhe ndërprerjen e bashkëpunimit me të.
Pas këtij takimi, dekania e Fakultetit të Mjekësisë, Suzana Manxhuka-Kërliu, denoncimin e studenteve e ka përcjellë me shkresë zyrtare në Këshillin e Etikës të UP.
Sipas Fakultetit të Mjekësisë, Krasniqi nuk e ka pranuar se i ka ngacmuar seksualisht studentet.
Fakulteti i Mjekësisë e ka konfirmuar se profesori Krasniqi ka qenë i angazhuar në këtë Fakultet përafërsisht nga viti akademik 2016/2017, ku ka ligjëruar lëndën e matematikës në programin e Farmacisë.
Këshilli i Etikës i UP-së mbajti mbledhjen të mërkurën, 17.04.2024, në të cilën dëshmuan tri studente, të cilat janë në mesin e 27 studenteve që e kanë denoncuar profesorin Xhevat Krasniqi për ngacmim seksual.
Mbledhja ishte e hapur për media, mirëpo është kërkuar që për shkak të konfidencialitetit të dëshmitareve që dëshmuan, mediat të mos marrin pamje.
Ekipi i KALLXO.com ka qenë pjesë e kësaj mbledhjeje dhe ka parë se shumicën e kohës së mbledhjes anëtarët e Këshillit i janë referuar ngacmimit seksual që po pretendohet nga studentet, si “gjuhë e papërshtatshme”.
Lëvizja Feministe Studentore ka mbajtur protestë që nga fillimi i kësaj mbledhjeje pasi është e pakënaqur me trajtimin e këtij rasti nga KE i UP-së.
Për shkak të kërkesës së Këshillit të Etikës ndaj Fakultetit të Mjekësisë që t’i ridërgojë nënshkrimet e studenteve denoncuese të rastit dhe duke iu referuar anëtarët e KE-së gjatë mbledhjes – ngacmimit seksual që po pretendohet nga studentet si “gjuhë e papërshtatshme”, aktivistët bllokuan derën hyrëse të Rektoratit të UP-së.
Policia e Kosovës është dashur të ndërhyjë që ta zhbllokojë hyrjen e Rektoratit nga aktivistët, pasi i kanë paralajmëruar tri herë që të tërhiqen nga aty.
Këshilli i Etikës i UP-së përbëhet nga katër anëtarë burra: Izet Morina, Skender Muji, Arben Hajdari dhe Rrezart Galica.
Më 07.04.2024, “Kallxo Përnime” transmetoi hulumtimim me rrëfimet e studenteve dhe studentëve të Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës, në lidhje me ngacmimet seksuale që pretendohet t’i ketë bërë profesori i shkencave matematikore, Xhevat Krasniqi.
Teuta, Shpresa dhe Era (emra fiktivë) janë tri vajza që në kushte anonimiteti rrëfyen në emisionin “Kallxo Përnime”, më 07.04.2024, për ngacmimet seksuale që Xhevat Krasniqi, profesor i matematikës, pretendohet se ua kishte bërë derisa studionin në degën e Farmacisë në UP.
Përveç këtyre tri studenteve, në “Kallxo Përnime” më 07.04.2024 rrëfyen edhe 3 djem që kishin qenë dëshmitarë të këtyre ngacmimeve seksuale që u ishin bërë vajzave nga viti 2022.
‘Teuta’ që pretendon se është ballafaquar me fjalë ngacmuese nga Krasniqi, më 14.02.2023 ka thënë se nuk e harron kurrë sepse sipas saj, ka qenë dita kur asnjëherë nuk është ndier më keq. Pikënisje e kësaj dite kishin qenë rezultatet e provimit kur profesori Krasniqi e kishte rrëzuar atë nga provimi për 0.05 pikë.
Në konsultime me gojë, siç ka thënë studentja, Krasniqi i kishte thënë se është “i drejtë në vlerësim” duke iu drejtuar edhe me fjalët se “kur të duash të bëj masazhë”, fjalë të cilat i kishte pasuar edhe një demonstrim duke tentuar “të përqafojë studenten.
Pesë javë pas denoncimit të studenteve ndaj profesorit të Shkencave të Matematikës, Xhevat Krasniqi, për ngacmim seksual, më 04.04.2024 u mblodh Këshilli i Etikës së Universitetit të Prishtinës.
Në këtë mbledhje u paraqit edhe vetë Krasniqi, ani pse me gjithë insistimin e Jeta Xharrës, refuzoi të përgjigjet lidhur me pretendimet ndaj tij.
Aktivistët nga data 03.04.2024 me protestat gjithëditore kanë kërkuar përjashtimin e profesorit Krasniqi, për shkak të denoncimit për ngacmim seksual.
Protesta e mbajtur të mërkurën, 17.04.2024, është protesta e tyre e gjashtë. Ndërsa, në protestën e fundit, më 11.04.2024, pasi bllokuan hyrjen e Rektoratit të UP-së, ata u shpërndanë me forcë nga Policia e Kosovës.
Ekipi i KALLXO.com raportoi nga vendi i ngjarjes se disa aktivistë janë tërhequr zvarrë nga Policia e Kosovës, për të zhbllokuar kështu hyrjen e Rektoratit.
Në anën tjetër, Universiteti i Prishtinës ka reaguar në lidhje me denoncimin për ngacmim seksual që 27 studente i kanë bërë profesorit Xhevat Krasniqi, duke kërkuar më shumë kohë për trajtimin e këtij rasti.
Këshilli i Etikës, sipas UP-së, thotë se ky rast “meriton hapësirë kohore” në mënyrë që të dëgjohen dhe shqyrtohen deklarimet e secilës palë.
Sipas UP-së, “nuk ka as vend dhe as arsye për dramatizim të situatës”.
Në komunikatën e lëshuar nga UP-ja më 12.04.2024 thuhet se deri tani janë mbajtur tri seanca dhe se rasti po trajtohet me urgjencë.
“Pretendimet janë serioze dhe kjo gjithashtu nënkupton se edhe rasti duhet të trajtohet me seriozitet. Secili pretendim dhe secila provë duhet të shqyrtohet, brenda një kohe të arsyeshme, duke bërë përpjekje maksimale që ky rast të vendoset brenda një periudhe sa më të shpejtë të mundshme dhe objektivisht optimale, gjithmonë duke u siguruar se nuk dëmtohet drejtshmëria e vendimit”, thuhet në komunikatë.
Me këtë rast, UP-ja ka kërkuar nga të gjitha palët të përmbahen nga të gjitha format e presionit.
“UP iu rikujton të gjitha palëve që, ndonëse vendimet e Këshillit të Etikës janë të rëndësishme, ato nuk paraqesin vendime të formës së prerë. Prandaj, secila palë gëzon të drejtën për t’i adresuar pretendimet edhe në instanca të tjera, përfshirë ato gjyqësore”, thuhet mes tjerash në komunikatën në të cilën asnjëherë nuk është përmendur fjala “ngacmim seksual”.