Valdete Daka gjatë raportimit në Komision Parlamentar. Foto: Kallxo.com

Daka: Jemi të gatshëm t'i organizojmë zgjedhjet

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka ka thënë se janë të gatshëm t’i organizojnë zgjedhjet kurdo që të shpallen ato.

Daka e ka ftuar Sekretariatin që të jetë të gatshëm për zgjedhje në muajin shtator dhe tetor.

“Ne jemi të gatshëm që t’i organizojmë zgjedhjet kurdo që të shpallen ato. Ne kërkojmë nga sekretariati që të mobilizohen qoftë muajin e ardhshëm, qoftë pas atij, që të jemi gati. Ne jemi gati, e them edhe një herë dhe dua që ta njoftoj edhe opinionin”, ka deklaruar Daka.

Mbledhja e Kuvendit për shpërbërjen e kësaj legjislature është thirrur më 22 gusht. Më pas edhe do të caktohet data kur do të mbahen zgjedhjet.

Ndërsa Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryeministrit më 19 korrik, kur edhe bëri njoftimin se është ftuar nga Gjykata Speciale për intervistim.

Në mbledhjen e sotme të KQZ-së janë regjistruar dhe tri parti të reja. Iniciativa politike ‘Partia Balliste’, partia e deputetit Milaim Zeka, Partia Euroatlantike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Diasporës.