Ivica Daçiq - Foto: REL/AFP

Daçiqi e kritikon Cameronin për deklaratën e tij rreth Kosovës

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, tha të enjten se deklarata e sekretarit të Jashtëm britanik, David Cameron, gjatë një vizite në Prishtinë se Britania e Madhe do ta ndihmojë Kosovën për të marrë njohje të reja, është “jashtëzakonisht hipokrite” dhe “meriton dënimin më të ashpër”.

“Ai nuk e tha asnjë fjalë për Albin Kurtin [kryeministrin e Kosovës] dhe të ashtuquajturën Kosovë që refuzojnë ta zbatojnë Marrëveshjen e Brukselit për 11 vjet, e cila, ndër të tjera, u nënshkrua dhe u garantua në emër të Bashkimit Evropian nga britanikja Catherine Ashton”, tha Daçiq më 4 janar për agjencinë e lajmeve të Serbisë, Tanjug.

Ai shtoi se Serbia “do të vazhdojë të jetë një faktor konstruktiv në dialog”, por se ajo ka të drejtë “t’i mbrojë interesat e veta kombëtare dhe shtetërore dhe integritetin e vet territorial”.

“Unë do ta ftoja Cameronin, kur të kthehet në Londër, të dalë jashtë zyrës së tij dhe ta shikojë muralin që shfaq Britaninë me aleatët pas Luftës së Parë Botërore, ku Serbia dhe Belgjika shfaqen si vajza të vogla të varura nga fundet e Britanisë si mbrojtëse e tyre. Është koha, shoku Cameron, ta heqësh atë mural, që është histori, ose të mendosh për deklaratat e tua”, tha Daçiq.

Të enjten në Prishtinë, Cameron theksoi se Britania e Madhe do ta ndihmojë Kosovën në aspiratat e saj duke përmendur këtu procesin e njohjeve të reja.

“Jemi përkrahës të mëdhenj të pavarësisë, sovranitetit dhe të drejtës së Kosovës për t’u njohur nga të tjerët si një vend i plotë, sovran dhe anëtar i familjes së kombeve”, nënvizoi ai.

Gjatë qëndrimit në Kosovë, Cameron është takuar edhe me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, si dhe me kryeministrin Albin Kurti.

Cameron tha se, vitin që shkoi, ishin 600 trupa britanike në kuadër të misionit të KFOR-it. Britania e Madhe, po ashtu, trajnon pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës./REL