COVID-19, vdes në Gjermani një mërgimtar nga Gjilani

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka bërë të ditur se një mërgimtar nga fshati Gadish ka vdekur nga COVID-19 në Gjermani.

Haziri i ka shprehur ngushëllime familjes Shabani.

Në të njëjtin postim në Facebook, Lutfi Haziri e cilësoi si lajm të mirë fillimin e lehtësimeve në ekonomi, përkatësisht me lejimin e operimit të bizneseve të vogla në qytet, por që sipas tij, lajmi i keq është që të njejtat biznese janë ndaluar të operojnë në qendrat tregtare.

Haziri është shprehur i bindur se Gjilani do të bëhet komuna e parë që e ul infeksionin në pikën zero.

“Sa i përket situatës në përgjithësi, mund të konstatojmë se është e qetë dhe s’ka arsye për kurrëfar paniku. Por, apeloj që të vazhdojmë të qarkullojmë në qytet në bazë të orarit të lejuar, duke i ndërmarrë masat preventive. Siҫ e kam paralajmëruar ditë më parë, Gjilani do të bëhet komuna e parë që e ul infeksionin në pikën zero”, ka shkruar Haziri.