Coronavirusi - Mustafa kërkon që Presidenti, Kuvendi e Qeveria të komunikojnë si kurrë më parë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa ka thënë se situata me coronavirusin duhet të menaxhohet maksimalisht nga institucionet e vendit dhe nga vet qytetarë dhe bizneset.

Sipas tij, gjendjen s’mund ta menaxhojnë vetëm mjekët.

“Sot, si kurrë më parë, është koha që institucionet e Kosovës parreshtur të komunikojnë mes veti. Presidenti, Parlamenti, Qeveria. S’duhet humbur kohë. Paniku te qytetarët dhe bizneset evitohet, veç kur i shohin se po punojnë bashk ata që po kërkojnë me arsye disiplinë nga çdo subject”, ka shkruar ai në Facebook.

Mustafa ka shtuar se duhet të veprohet sa më shpejt edhe me gjendje të jashtëzskonshme, sepse po përballemi me një fatkeqësi e cila po shpërndahet në tërë territorin e Kosovës.

“Pse të pritet më shumë. Kushtetuta ka folë qartë! Ajo që po vërehet është se deri sot Virusi po shpërndahet në proporcion aritmetik, në ditët në vijim mund të kemi propocione gjeometrike prandaj duhet të sillet nën kontroll”, thuhet në publikimin e tij.

Deri më tani në Kosovë janë identifikuar 16 persona të prekur me virusin COVID-19. Qytetet si Vitia, Malisheva, Podujeva dhe Klina janë në karantinë pasi në këto qytete u identifikuan disa të prekur me virus.

Ndërkaq, tre persona të prekur me coronavirus janë identifikuar në Aeroportin e Prishtinës pasi erdhën nga Londra.

Qeveria e Kosovës ditë më parë ka shpallur gjendjen emergjente pas situatës me rrezikun e shpërndarjes së këtij virusi.

Momentalisht në botë numërohen mbi 180 mijë të infektuar me këtë virus, dhe mbi 7 mijë kanë vdekur.

Vendet më të prekura në botë nga virusi janë Kina dhe Italia.