Çka thotë Komuna e Gjakovës për dyshimet për tjetërsimin e pronave publike?
Një grup banorësh në lagjen ‘Blloku i luftëtarëve’ në Gjakovë janë në hall me pronat e tyre.
Ata jetojnë në shtëpi të ndërtuara në vitet e ’60. Në kohën e komunizmit shteti ndante shtëpi në shfrytëzim për qytetarët.
Atëkohë shtëpitë ishtin në pronësi të shtetit ndërsa banorët vetëm i shfrytëzonin ato.
Në emisionin “Kallxo Përnime” u transmetua reportazhi për pronat në Gjakovë.
Ndryshimet e legjislacionit në vitet ’90 krijuan mundësitë që qytetarët t’i blenin banesat dhe shtëpitë. Ky proces u zhvillua edhe për lagjen ‘Blloku i Luftëtarëve’.
Dosja e kësaj lagje zbulon se nga 15 shtëpitë të paktën dy arritën të regjistronin edhe tokën në emër të poseduesve, ndërsa prona e të tjerëve vazhdon të jetë në pronësi të Komunës së Gjakovës.
Në Komunën e Gjakovës procesi nuk ka shpjegim të qartë.
Gjevalin Nikollbibaj, drejtor i Kadastrit në Komunën e Gjakovës, thotë se ka ngritur edhe në Asamblenë Komunale këtë çështje.
“Kërkesat e banorëve janë të vazhdueshme që kërkojnë për me bartë pronësinë. Realisht tash së fundmi pas një debati që e kemi pasur edhe në Asamblenë Komunale, por edhe me kryetarin e Komunës që me e zgjidhë këtë problematikë, i kam udhëzuar që të aplikojnë dhe të shohim cilat janë dokumentet e tyre që me e pasë një bazë të mjaftueshme që me i regjistru ato prona në emër të pronarëve të shtëpive” – thotë drejtori Nikollbibaj.
“Realisht kam pasur dokumentacionet që më janë prezantuar, unë kam pezulluar për momentin procedurën që me i pritë ato dokumente, sepse kanë qenë të pamjaftueshme, u kam dhënë edhe një kohë prej 30 ditëve dhe del në fund që dokumentet që janë prezantuar nga ta nuk janë të mjaftueshme për me e bartë pronësinë, edhe kemi shku deri te refuzimi i personave që kanë aplikuar dhe nuk kanë plotësuar kriteret për regjistrim të paluajtshmërisë, e kemi fjalën për oborrin”.
Dy banorë të lagjes “Blloku i luftëtarëve” ngrenë dyshime se fqinjët e tyre kanë arritur të transferojnë pronën nga publike në private.
Çështja tani ka marrë dhenë dhe është duke u diskutuar në të gjitha instancat e Komunës së Gjakovës, ndërsa deri më tani edhe pse rasti është ngritur në diskutim publik askush nuk ka ndërrmarrë veprime për të hetuar dhe për ta zbardhur ngjarjen.