I akuzuari Darko Tasiq (me maskë) - Foto: KALLXO.com

Çka konsideroi rrethanë lehtësuese Gjykata e Apelit kur uli dënimin e Darko Tasiqit?

Ishte viti 2018 kur për herë të parë në bankën e të akuzuarit në Gjykatën e Prizrenit u paraqit Darko Tasiq.

Mbi të rëndonin akuza të rënda si plaçkitje, shkatërrim, djegie dhe përdhosje e viktimave të krimeve të luftës që ishin nga rajoni i Prizrenit.

Sipas Prokurorisë Speciale, gjatë kryerjes së këtyre krimeve Darko Tasiq ishte pjesëtar rezervë i forcave paraushtarake serbe.

Pas një procesi maratonik gjyqësor, i cili zgjati dy vite që nga paraqitja e parë e Tasiqit, Gjykata e Prizrenit vlerësoi se janë vërtetuar pretendimet e Prokurorisë dhe vendosi që ta dënojë të akuzuarin.

Me vendimin e Gjykatës së Prizrenit Darko Tasiq u dënua me 22 vjet burgim.

Me këtë vendim nuk ishin pajtuar mbrojtësit e Tasiqit, të cilët kishin apeluar në shkallën e dytë me pretendimet se ishte shkelur ligji penal dhe nuk ishte vërtetuar e vërteta.

Pasi vlerësoi ankesat e mbrojtësve Gjykata e Apelit i hodhi poshtë pretendimet e tyre për të vertetën ndërsa i aprovoi ankesat e tyre për ligjin e zbatueshëm penal.

Rrjedhimisht pas këtij ndryshimi Gjykata e Apelit vendosi që t’ia ulë dënimin Tasiqit përgjysmë, nga 22 në 11 vjet burgim.

Vendimi i Apelit u mor nga gjyqtarët Kreshnik Radoniqi, Burim Ademi dhe Milan Bigoviq.

Rrethanat që dërguan në vendimin për 11 vjet burgim

Pasi ligji i zbatueshëm penal u ndryshua nga Gjykata e Apelit dënimi maksimal të cilin mund ta shqiptonte kjo Gjykatë ishte 20 vjet burgim.

Para se të shqiptonte dënimin kjo Gjykatë bëri matjen e rrethanave lehtësuese dhe atyre rënduese.

Si rrethana lehtësuese kjo Gjykatë mori faktet se Darko Tasiq nuk kishte ndonjë rol udhëheqësi në këto krime pra nuk po i udhëhiqte veprimet kriminale.

Rrethanë tjetër lehtësuese Gjykata vlerësoi jetën e mëparshme të Tasiqit, e cila tregonte se ai kishte raporte të mira me dëshmitarët, të cilat më pas, në kohën e luftës, ishin keqësuar.

Rrethana e fundit lehtësuese që u mor nga Apeli ishte mosha e re e Darko Tasiqit në kohën e luftës pasi në atë periudhë ai ishte 26 vjeçar.

Përpos rrethanave lehtësuese me rastin e vendimit për 11 vite burgim Gjykata e Apelit mori parasysh edhe rrethanat rënduese.

Si rrethana rënduese u morën shkalla e përgjegjësisë penale, motivi për shkakun e kryerjes së këtyre veprave, rrethanat në të cilat ishte kryer vepra penale si dhe fakti se i akuzuari kishte vepruar në bashkëkryerje dhe me veprimet e tij krijonte pasoja.

Në rast se në këtë çështje penale me rastin e vendimit mbi dënim do të zbatohej udhëzuesi i Gjykatës Supreme për politikën ndëshkimore dënimi i Darko Tasiqit do të ishte më i lartë.

Ai sipas këtij udhëzuesi do të duhej të ndëshkohej me 17 vjet burgim pasi në këtë çështje kishte më shumë rrethana rënduese sesa lehtësuese.

Dënimi me 11 vjet nga Gjykata e Apelit zgjoi shumë reagime në vend.

Dhjetëra qytetarë protestuan para Gjykatës, e shumë të tjerë përmes rrjeteve sociale.

Këta qytetarë vendimin për përgjysmimin e dënimit e konsideruan të padrejtë.