Nedelko Spasojeviq, njëri nga 6 të akuzuarit për vrasjen e Oliver Ivanoviqit | Foto: KALLXO.com

Edhe një seancë e dështuar ndaj të akuzuarve për rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit

Gjykimi ndaj pesë të akuzuarve për rastin e vrasjes së politikanit opozitar serb Oliver Ivanoviq, ishte paraparë të vazhdonte të mërkurën më13.03.2024, në Gjykatën e Prishtinës.

Mbi gjashtë vite nga vrasja e Ivanoviqit, drejtësia akoma nuk ka një epilog e vrasësi mbetet ende i pa identifikuar.

Data 16.01.2024 shënoi gjashtë vjetorin e vrasjes që kur Ivanoviqi u qëllua për vdekje me 6 plumba në afërsi të selisë së partisë së tij në Mitrovicën e Veriut.

Seanca në të cilën parashihej të bëhej dhënia e mbrojtjes nga të akuzuarit, u shty për shkak se mbrojtja deklaruan se nuk janë të pajisur me të gjitha procesverbalet e deklaratave të dëshmitarëve.

Ndërkaq të akuzuarit bën të ditur secili se a do të deklarohen, apo do të shfrytëzojnë të drejtën për t`u mbrojtur në heshtje.

Fillimisht i akuzuari Nedelko Spasojeviq tha se për mbrojtjen e tij do të deklarohet, mirëpo vetë pasi që të pranojë të gjitha procesverbalet e dëshmive të dëshmitarëve në gjuhën serbe.

Njëlloj deklaruan edhe të akuzuarit Silvana Arsoviq dhe Rade Basara.

Kurse të akuzuarit Marko Roshiq, Dragisha Markoviq dhe Zharko Jovanoviq deklaruan se do të mbrohen në heshtje.

Rasti po trajtohet në Departamentin Special nga trupi gjykues me kryetar Valon Kurtaj, anëtarët Valbona Musliu- Selimaj dhe Musa Konxheli. Aktakuza po përfaqësohet nga prokurori Special, Burim Ademi.

Seanca e radhës pritet të mbahet më datë 26.03.2024.

Sipas aktakuzës, Marko Roshiq, Silvana Arsoviq, Nedelko Spasojeviq, Rade Basara, po akuzohen se si grup kriminal të udhëhequr nga Millan Radoiçiq dhe Zvonko Veselinoviq, kishin kontribuar në forma të ndryshme në vrasjen e Oliver Ivanoviqit.

Në këtë rast akuzohen edhe dy zyrtarë policorë, Dragisha Markoviq dhe Zharko Jovanoviq, të cilët sipas Prokurorisë kishin manipuluar me prova të rastit.

Sipas aktakuzës, secili nga të lartcekurit në ditën kritike kanë kryer veprime konkrete, të cilat kanë dërguar deri te vrasja e tani të ndjerit Oliver Ivanoviq.

Prokuroria pretendon se i pandehuri Nedelko Spasojeviq duke vepruar si anëtar i grupit, ka ndihmuar në kryerjen e vrasjes duke bashkëpunuar ngushtë me të dyshuarit e panjohur që të kryejnë vrasjen e Ivanoviqit.

Sipas aktakuzës ai fillimisht u ka mundësuar të dyshuarve që të lëvizin me veturën zyrtare të policisë të markës Golf IV, karavan, më pas i ka dërguar të njëjtit tek vetura “Opel Astra”, ngjyrë e kaltër, pa targa, nga e cila veturë është shtënë në të ndjerin Oliver Ivanoviq.

Përveç kësaj në aktakuzë thuhet se i pandehuri Nedelko Spasojeviq në ditën kritike së bashku me dy policët që kanë qenë të parët në vendin e ngjarjes Zharko Jovanoviq dhe Dragisha Markoviq, kanë lejuar personat e paautorizuar të futen në vendin e ngjarjes dhe të dëmtojnë provat që kanë qenë aty.

Marko Roshiq akuzohet se si anëtar i grupit kriminal ka ndihmuar në kryerjen e vrasjes së Oliver Ivanoviqit  pasi me veturën “Santa Fe” ka përcjellë çdo lëvizje të tij para vrasjes, ndërsa pas vrasjes, në rrobat e të ndjerit është gjetur një letër, në të cilën kanë qenë të dhënat e veturës “Santa FE”, ngjyrë e zezë, me targa “KM-014-FZ”.Në aktakuzë ceket se kjo veturë është në pronësi dhe përdorim të të akuzuarit Roshiq dhe përmes saj ai e kishte përcjellë edhe Mirosllav Ivanoviqin, vëllanë e të ndjerit pasi kishte ndodhur vrasja.

Rade Basara akuzohet se si polic hetues në Mitrovicën e Veriut kishte bashkëpunuar ngushtë me Zhelko Bojiqin dhe me grupin e organizuar e që është udhëhequr nga i dyshuari Millan Radoiçiq, për t`i eliminuar dhe fshehur gjurmët e krimit si dhe provat dhe dëshmitë në vendin e ngjarjes.

E pandehura Silvana Arsoviq, akuzohet se si anëtare e grupit kriminal kishte ndihmuar në eliminimin e pengesave për kryerjen e vrasjes duke shkyçur nga rryma kamerat e sigurisë dhe duke mundësuar që të dyshuarit të mos incizohen nga kamerat e sigurisë në kohën kur kryhet akti i vrasjes.

Sipas Prokurorisë Arsoviq menjëherë pas vrasjes së Ivanoviqit ka aktivizuar kamerat e sigurisë në zyrat e partisë SDP. Ajo sipas aktakuzës ka qenë duke punuar si administratore në këto zyre dhe si person i vetëm në objektin e përmendur në kohën kur është kryer vrasja.

Polici Dragisha Markoviq akuzohet se pa autorizim ka dhënë informata të cilat përbënin fshehtësi zyrtare gjatë kohës sa ishte në vendin e ngjarjes ku kishte ndodhur vrasja e Oliver Ivanoviqit.

Dy policët Markoviq dhe Zharko Jovanoviq, akuzohen edhe se kanë manipuluar me provat e vendit të ngjarjes me qëllim që t’i bëjnë të pashfrytëzueshme duke i hequr dhe fshehur ato. Sipas Prokurorisë Speciale Dragisha Markoviq, bën me dorë në drejtim të gëzhojës e cila ishte gjetur në vendin e ngjarjes e të cilën më pas i pandehuri Zharko Jovanoviq e merr atë gëzhojë, e fut në xhep dhe së bashku me të pandehurin tjetër Dragisha Markoviq largohen nga vendi i ngjarjes.

Raportimet e KALLXO.com  – LINK