Avdullah Hoti në cilësinë e dëshmitarit në rastin e 53 - milionëshit

Avdullah Hoti në cilësinë e dëshmitarit në rastin e '53 - Milionëshit' (10.03.2023) - Laurant Berisha Foto: KALLXO.COM

Çka deklaroi Avdullah Hoti në gjykimin ndaj Pal Lekajt dhe të tjerëve për rastin e '53 Milionëshit'?

Ish-ministri Infrastrukturës Pal Lekaj, Nehbi Shatri, Eset Berisha dhe Besim Tahiri u paraqitën edhe një herë në Gjykatën e Prishtinës për të dëgjuar rrëfimin e Avdullah Hotit, në rastin e ’53 Milionëshit’.

Hoti ishte thirrur si dëshmitar nga Gjykata e Prishtinës në cilësinë e ish-ministrit të Financave në Qeverinë Haradinaj.

Dëshmitari u deklarua se kishte marrë postin e ministrit të Financave në fund të vitit 2014, gjë për të cilën sipas tij, kontrata për autostradën “Arbën Xhaferi” e lidhur mes kompanisë Bechtel-Enka dhe Qeverisë së Kosovës, veçse kishte qenë e lidhur nga paraardhësit e tij.

Ish-ministri tha se kontrata mes Bechtel dhe Qeverisë së Kosovës, mbikëqyrej nga kompania “Hill International”.

Dhe se për realizmin e këtij projekti nuk kishte buxhet të mjaftueshëm, momentin kur kontrata ishte nënshkruar.

“Kur është nënshkruar kjo kontratë nuk ka pas buxhet të mjaftueshëm të paraparë për tri vitet e ardhshme”- tha Hoti.

Ish-ministri tha se kanë bërë të pamundurën që t`i dalin zot përmbushjes së kontratës.

“Jemi mundu që t`i dalim zot kësaj kontrate me alokime shtesë sepse kur është nënshkruar kontrata nuk kemi pas mjete të mjaftueshme”- tha ky i fundit.

Hoti shtoi tutje se sipas bindjes së tij të plotë kanë vepruar në përputhje me ligjin e prokurimit  dhe në përputhje me rekomandimin e kompanisë ‘Hill International’. Kurse pagesat nga Qeveria ku Hoti bënte pjesë, sipas tij ishin kryer gjithmonë me rregull për kompaninë Bechtel-Enka.

Për këtë rast pritet që dëshminë e tyre ta japin edhe përfaqësuesit e Bechtel – Enkas dhe Kompanisë Hill International.

Dëshmi lidhur me aferën e ’53 Milionëshit’ kishin dhënë edhe Ramush Haradinaj në cilësinë e ish-kryeministrit dhe Lutfi Zharku në cilësinë  ish-ministrit të Infrastrukturës (pararendës  i Pal Lekajt).

Violeta Namani – kreyetare e trupit Gjykues, Vesel Ismaili dhe Musa Konxheli – anëtarë janë përbërja e trupit gjykues që po udhëhqin gjykimin për këtë rast.

Ish-ministri Lekaj dhe tre zyrtarët e tjerë, Eset Berisha, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri akuzohen se janë përfshirë në afera korruptive kur ishte vendosur për ndarjen e këtyre mjeteve në emër të vazhdimit të punimeve në autostradën “Arbën Xhaferi” që lidh kryeqytetin me Hanin e Elezit.

Me veprimet e tyre ata akuzohen se buxheti i Kosovës i është shkaktuar dëm në vlerë prej 38,321,346.00 euro.

Sipas PSRK-së, ndonëse të pandehurit kanë qenë në njohuri që sipas aneks-kontratës kostoja shtesë në emër të shtyrjes së afatit të punimeve të jetë 14 milionë e 778 euro, me dashje kishin nënshkruar një marrëveshje të re pa kosto.

Aktakuza thotë se Lekaj kishte caktuar Eset Berishën që të marrë pjesë në negociata për arritjen e marrëveshjes me “Bechtel & Enka” ku ata pajtohen që në emër të zgjatjes së afatit të përfundimit të punimeve, Ministria e Infrastrukturës t’i paguajë koston shtesë në vlerë prej 53 milionë e 100 mijë euro.

Sipas Prokurorisë, historia nis në vitin 2017 kur Ministria që drejtohej nga Pal Lekaj nënshkroi një marrëveshje me kompaninë “Bechtel-Enka” për shtyrjen e afatit të përfundimit të punimeve në autostradën Prishtinë-Hani i Elezit për 347 ditë të tjera duke mos përcaktuar koston financiare.

Kjo, sipas aktakuzës, i kishte hapur rrugë kompanisë që më datën 27 nëntor 2017 të paraqes një kërkesë në Ministrinë e Infrastrukturës për pagesë të shumës shtesë “Briefing Package” në vlerë prej 63 milionë euro në emër të “zgjatjes së afatit të përfundimit të punimeve”.

Kërkesa e njëjtë më pastaj ishte zbritur në 53 milionë e 100 mijë euro e cila edhe ishte ekzekutuar më 5 qershor të vitit 2018 nga Qeveria e Kosovës.

Raportimet e KALLXO për kë rast penal mund t`i lexoni duke klikuar në LINK