Foto: ZKM

Chollet bisedon me Kurtin për 'rëndësinë e zbatimit të menjëhershëm të Asociacionit'

Këshilltari i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, ka biseduar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Chollet përmes një reagimi në Twitter tha se pati një bisedë shumë të mirë me kryeministrin Kurti për disa tema, përfshirë këtu edhe “rëndësinë e zbatimit të menjëhershëm të Asociacionit për Komunat me shumicë Serbe”.

Ndër të tjera, Chollet dhe Kurti biseduan edhe për takimin e nesërm që do të mbahen në mes dy liderëve të dy vendeve fqinje, Kosovë – Serbi, për normalizimin e marrëdhënieve përmes dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

Po ashtu këshilltari i lartë tha se me shefin e ekzekutivit në Kosovë biseduan edhe për partneritetin e fortë SHBA-Kosovë.

Në anën tjetër, për këtë bisedë në mes Kurtit dhe Chollet një njoftim për media është lëshuar edhe nga ana e Zyrës së Kryeministrit.

Në këtë njoftim është thënë se në mes tyre është folur për agjendën e takimit të nesërm dhe pritjet nga ky takim dhe për, siç thuhet se theksoi kryeministri Kurti, rëndësinë që Marrëveshja Bazë dhe Plani i Zbatimit të saj të zbatohet në tërësi dhe me mirëbesim.

Kurti u tha se falënderoi Chollet për rolin dhe mbështetjen e ShBA-ve ndaj Kosovës në kalimin e fazës së parë të anëtarësimit në Këshillin e Evropës javën e kaluar, dhe për angazhimin e tyre në procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.​

Takimi i radhës i nivelit të lartë, mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, do të mbahet më 2 maj në Bruksel.

Palët pritet të miratojnë deklaratën për Personat e Zhdukur si pikë të parë të rendit të ditës, e cila do të pasohet me diskutim mbi draft-statutin e parë të Asociacionit.

Më pas, Borrell do të deklarohet për mediat në fund të takimit.