Takimi i 27 shkurtit në Bruksel mes të kryeministrit Albin Kurtit dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq | Foto: BE

BE tregon detajet e takimit të 2 majit mes Kurtit dhe Vuçiqit në Bruksel

Takimi i radhës i nivelit të lartë, mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, do të mbahet më 2 maj në Bruksel.

Bashkimi Evropian përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur detajet se si do të zhvillohet takimi.

Sipas njoftimit, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell së bashku me emisarin special për dialog, Mirosllav Lajçak do të zhvillojnë një takim të përbashkët me liderët.

“Përfaqësuesi i Lartë, Borrell i mbështetur nga Emisari Special i BE-së, Miroslav Lajçak, do të zhvillojë një takim të përbashkët me liderët duke filluar nga ora 18:00. Takimi do të fokusohet në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”- njofton BE.

Në njoftim bëhet e ditur se palët pritet të miratojnë deklaratën për Personat e Zhdukur si pikë të parë të rendit të ditës, e cila do të pasohet me diskutim mbi draft-statutin e parë të Asociacionit.

“Palët pritet të miratojnë Deklaratën për Personat e Zhdukur si pikë të parë të rendit të ditës, e cila do të pasohet nga prezantimi/një diskutim mbi draft-statutin e parë të Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe në Kosovë. Palët do të kenë gjithashtu mundësinë të diskutojnë çështje aktuale me rëndësi politike”- thotë BE-ja.

Më pas, Borrell do të deklarohet për mediat në fund të takimit.

Më 18 mars në Ohër, Kosova dhe Serbia janë dakorduar për ankesin e zbatimit të planit të Bashkimit Evropian i njohur ndryshe si plani franko-gjerman.

Palët nuk e nënshkruan marrëveshjen, por BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë deklaruar se pavarësisht se nuk është firmosur, ajo është marrëveshje e obligueshme për palët.

Ndërkaq, në fillim të muajit prill 2023, Kosova dhe Serbia u pajtuan për tekstin e deklaratës për personat e pagjetur, pas takimit trepalësh në Bruksel mes zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi, kryenegociatorit serb Petar Petkoviq, me ndërmjetësim të emisarit Lajçak.

Plani i Bashkimit Evropian është përkrahur nga Franca, Gjermania, Italia e SHBA-të, është diskutuar në publik që nga shtatori i vitit të kaluar.

Përmbajtja e këtij plani është bërë publike tek më 27 shkurt të këtij viti.