Çfarë do të thotë një fitore ruse për Ukrainën?

Ukrainasit do të përballeshin me terror në një shkallë që nuk është parë në Evropë që nga epoka e sundimit totalitar të shekullit të 20-të.

Me ngecjen e kundërofensives së Ukrainës dhe bllokadën e imponuar nga Kongresi i SHBA lidhur me ndihmën kruciale ushtarake, disa analistë kanë filluar ta ngrenë spektrin e një pikëkthimi në luftë që mund të çojë në një disfatë të Ukrainës. Ndërkohë që situata në terren është ende larg nga e keqja, ajo mund të përkeqësohet me shpejtësi në mungesë të një infuzioni të konsiderueshëm të mbështetjes ushtarake të SHBA për Ukrainën.

Pasojat e humbjes së Ukrainës duhet të kuptohen plotësisht. Pasojat e mundshme gjeopolitike janë të lehta për t’u parashikuar. Humbja e një vendi të mbështetur nga perëndimi do ta inkurajonte Rusinë dhe shtetet e tjera revizioniste që t’i ndryshonin kufijtë e tjerë me forcë. Një fitore ruse do t’i frikësonte fqinjët evropianë të Rusisë, duke çuar ndoshta në një kolaps të sigurisë kolektive evropiane pasi disa vende do të zgjedhnin zbutjen dhe të tjerët riarmatosjen në mënyrë masive. Kina, gjithashtu, do të arrinte në përfundimin se Tajvani nuk mund të mbështetet në mbështetjen solide të SHBA. Në të vërtetë, efektet e valëzuara të pavendosmërisë së SHBA-së kanë filluar tashmë: Në një lëvizje që ta kujton aneksimin e paligjshëm të Rusisë të disa rajoneve të Ukrainës, Venezuela këtë muaj pretendoi më shumë se gjysmën e Guajanës fqinje si të sajën. Ndërkohë që nuk ka shenja të një pushtimi të afërt, do të ishte naive të mendohej se vendet e tjera nuk po vëzhgojnë nga afër për të parë nëse rrëmbimi i tokës ukrinase nga Rusia ka shënuar sukses.

Shumë analistë i kanë përshkruar tashmë këto rreziqe të gjera të sigurisë. Mirëpo ato zbehen në krahasim me pasojat e tmerrshme për Ukrainën dhe banorët e saj nëse Rusia del fitimtare në këtë luftë. Si mbështetësit ashtu edhe kundërshtarët e ndihmës për Ukrainën duhet të dinë se cilat do të ishin këto pasoja.

Për ta kuptuar fatin e mundshëm të Ukrainës nëse Rusia e përmbys fatin e saj, vendi më i mirë për të filluar është ajo që në fakt e thonë rusët. Më 8 dhjetor, presidenti rus Vladimir Putin e bëri të qartë se sipas tij nuk ka të ardhme për shtetin ukrainas. Më 5 dhjetor, ai shprehu qëllimin e tij për ta “riedukuar” popullin ukrainas, duke e kuruar atë nga “rusofobia” dhe “falsifikimet historike”. Më 12 nëntor, ish-kryeministri rus Dmitry Medvedev e bëri të qartë apetitin e Rusisë: “Odessa, Nikolaev, Kiev dhe praktikisht çdo gjë tjetër nuk është fare Ukrainë”. Është “e qartë”, ka postuar në Telegram, se presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky është një “uzurpator”, se gjuha ukrainase është vetëm një “dialekt i përzier” i rusishtes dhe se Ukraina “NUK është një vend, por territore të mbledhura artificialisht”. Propagandistët e tjerë të regjimit pohojnë se shteti ukrainas është një sëmundje që duhet trajtuar dhe ukrainasit një shoqëri që duhet të “çlirohet”.

Edhe më qartë, televizioni shtetëror rus shumë i censuruar, gjatë dy viteve të fundit, e ka promovuar vazhdimisht përdhunimin e ukrainasve, mbytjen e fëmijëve, rrafshimin e qyteteve, zhdukjen e elitës ukrainase dhe shfarosjen fizike të miliona ukrainasve. Për një pamje të shkëlqyeshme të këtyre dhe deklaratave të tjera, Russian Media Monitor e ka përpiluar një koleksion me klip të shkurtër nga televizioni rus që duhet parë patjetër, të kompletuar me titra në anglisht. Kjo fushatë e koordinuar nuk është një zhurmë, por një pararojë e asaj që e pret popullin ukrainas. Në këto komente, mund t’i shohim konturet e mizorive që i presin ukrainasit nën një pushtim total ose pothuajse total rus.

Gjithashtu mund ta projektojmë efektin e një fitoreje ruse nga mizoritë që janë tashmë të përhapura në territoret e pushtuara nga Rusia. Sipas burimeve zyrtare ukrainase, gati 2 milionë ukrainas tashmë janë larguar nga shtëpitë dhe komunitetet e tyre në zonat e pushtuara dhe janë zhvendosur në Rusi, përkohësisht ose përgjithmonë. Vlerësime të tjera variojnë nga 1.6 në 4.7 milionë. Komisionerja ruse e fëmijëve Maria Lvova-Belova ka thënë se më shumë se 700,000 fëmijë ukrainas janë marrë nga Ukraina në Rusi që nga shkurti i vitit 2022; rreth 20,000 prej tyre janë të njohura për autoritetet ukrainase me emër. Transferimi i fëmijëve nga vendi i tyre dhe ndalimi i qasjes në gjuhën dhe kulturën e tyre nuk është vetëm një krim lufte i njohur ndërkombëtarisht. Një asimilim i tillë i detyruar është përcaktuar edhe nga Konventa e OKB-së për Gjenocidin si akt gjenocidal. Kjo është arsyeja pse Gjykata Ndërkombëtare Penale ka lëshuar një urdhër arresti për Lvova-Belova.

Rusia jo vetëm që po i pastron rajonet e saj të pushtuara nga ukrainasit, por gjithashtu po i zëvendëson ato me kolonë rusë – një vazhdimësi tragjike me praktikat perandorake sovjetike dhe ruse të dëbimit sistematik, kolonizimit dhe rusifikimit. Në qytetin ukrainas të Mariupolit, ku avancimi ushtarak rus vrau dhjetëra mijëra civilë dhe shkatërroi 50 për qind të banesave të qytetit, një pjesë e vogël e ndërtesave të reja të banimit u ndërtuan kohët e fundit. Disa nga këto banesa po ofrohen për shitje, me të huaj rusë që rrëmbejnë pasuri të paluajtshme me çmime të volitshme.

Jugu pjesërisht i pushtuar i Ukrainës ofron një pamje të qartë të teknikave të përdorura nga forcat okupuese për të vendosur autoritet. Një raport i Human Rights Watch nga korriku i vitit 2022 dokumenton një model torture, zhdukjeje dhe ndalimi arbitrar në rajon. Qytetarët duruan tortura gjatë marrjes në pyetje, duke përfshirë rrahje, elektroshok dhe privim shqisor. Disa të burgosur kanë vdekur nga torturat dhe një numër i madh thjesht janë zhdukur. Midis viktimave janë zyrtarë lokalë, mësues, përfaqësues të Kishës Ortodokse të Ukrainës, aktivistë të OJQ-ve dhe anëtarë të mbrojtjes territoriale të Ukrainës. Ekziston gjithashtu një sasi masive e informacionit të mbledhur nga monitoruesit e të drejtave të njeriut dhe gazetarët në lidhje me funksionimin e kampeve të filtrimit dhe paraburgimit.

Indoktrinimi politik dhe militarizimi i rinisë janë tashmë karakteristika kryesore të jetës nën pushtimin rus. Pankartat dhe posterat politikë që e promovojnë patriotizmin rus janë të kudondodhura në rajonet e pushtuara. Tekstet e reja shkollore për fëmijë e fshijnë historinë e Ukrainës dhe predikojnë urrejtje për udhëheqjen e Ukrainës. Gjuha ukrainase po hiqet nga pjesa më e madhe e sistemit arsimor dhe po kalon në statusin e saj kolonial si një dialekt i çuditshëm që nuk përfaqëson gjë tjetër veçse një kulturë rajonale që po zhduket gradualisht, që së shpejti do të përfshihet në rrjedhën kryesore të rusifikuar.

Tashmë, miliona ukrainasve u është shkatërruar jeta në një apo tjetër mënyrë nga pushtimi monstruoz rus. Nëse Rusia do ta përfundonte pushtimin e saj, ky shkatërrim do të ishte një shumëfish i numrit të lartcekur. Pas gati një dekade lufte kundër Rusisë, ukrainasit janë të bashkuar dhe shumë të mobilizuar në mbrojtjen e kufijve, demokracisë, kulturës dhe gjuhës së vendit të tyre, tek të cilat shumë rusishtfolës ukrainas kanë kaluar nga neveria ndaj pushtimit të Moskës. Miliona ukrainas janë tërbuar dhe radikalizuar nga krimet e luftës të Rusisë dhe shkatërrimi i qyteteve dhe shtëpive të tyre. Miliona ukrainas kanë dalë vullnetarë për të ndihmuar përpjekjet e luftës, miliona kanë kontribuar me fonde për ta mbështetur ushtrinë dhe akoma më shumë, i janë drejtuar mediave sociale për t’u shfryrë dhe për ta regjistruar publikisht frustrimin e tyre ndaj Putinit dhe shtetit rus.

Kjo jo vetëm që do ta bënte çdo pushtim brutal dhe të përgjakshëm. Nëse Ukraina e humb luftën, pothuajse e gjithë shoqëria ukrainase do të duhet të ndëshkohet, të shtypet, të heshtet ose të riedukohet në rast se pushtimi do ta shuajë rezistencën dhe do ta përvetësojë vendin në Rusi. Për këtë arsye, një pushtim rus do të shoqërohej me arrestime masive, ndalime afatgjata, dëbime masive në zemër të Rusisë, kampe filtrimi në një shkallë të gjerë dhe terror politik. Në rast se shfaqet një kryengritje serioze, niveli i represionit vetëm sa do të zgjerohej dhe thellohej.

Do të kërkohet gjithashtu një përpjekje e madhe për ta çliruar vendin nga materialet turbulluese, që do të thotë të gjithë filmat, romanet, poezitë, esetë, artet, veprat shkencore dhe muzika që mund të përmbajnë referenca pozitive për periudhën e pavarësisë së Ukrainës. Bibliotekat dhe shkollat do të pastroheshin nga të gjitha këto përmbajtje subversive – në thelb, shumica e të gjithë prodhimit të shkrimit dhe kulturës që Ukraina ka prodhuar gjatë tri dekadave të fundit. Shkrimtarët dhe studiuesit do të përballeshin me zgjedhjen për ta mohuar identitetin e tyre dhe punën në të klauarën. Shumë do të përballeshin me arrestimin ose më keq, thjesht sepse po e transportojnë kulturën ukrainase dhe po pengojnë rrugën e rusifikimit. Përsëri, ky nuk është spekulim, por praktikë e përhapur në territore të tjera që Rusia i ka pushtuar.

Përparimet territoriale ruse do të shoqëroheshin nga një valë e dytë e refugjatëve ukrainas shumë më masive se ajo e fillimit të vitit 2022, kur rreth 7 milionë ukrainas kaluan kufirin për në Bashkimin Evropian. Për ukrainasit e mbetur, e ardhmja do të ishte një nga kontrollet totalitare mbi kulturën, arsimin dhe fjalën, shoqëruar me terror masiv në një shkallë të paparë në Evropë që nga epoka e sundimit totalitar të shekullit të 20-të.

E keni në formë të distiluar se çfarë do të thotë një fitore ruse. Anëtarët e Kongresit të SHBA janë të lirë të votojnë kundër ndihmës për Ukrainën nëse mendojnë – gabimisht – se rezultati i luftës nuk ndikon në interesin kombëtar të SHBA. Por ata nuk duhet të lejohen ta kundërshtojnë ndihmën për Ukrainën pa qenë plotësisht të vetëdijshëm për tiraninë që do ta ndihmojnë për ta fuqizuar – dhe përgjegjësinë e tyre për krimet masive dhe plotësisht të parashikueshme që do të pasojnë./Foreign Policy

Adrian Karatnycky, anëtar i lartë në Këshillin Atlantik dhe themelues i Myrmidon Group.

Përgatiti: Nuhi Shala