Çerdhja e fshatit Greme të Ferizajt prej vitesh jofunksionale – Pamje

Çerdhja në fshatin Greme të Ferizajt prej vitesh ka mbetur jofunksionale. Objekti madje edhe ishte demoluar, më 2020-ën.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për gjendjen e çerdhes.

Përfaqësuesi i fshatit Greme, Besim Ahmeti, ka treguar se çerdhja në këtë fshat nuk është funksionale dhe nuk ka qenë asnjëherë prej kur është ndërtuar.

Ai ka treguar se banorët duhet të gjejnë forma të ndryshme për t’i dërguar fëmijët në çerdhe.

“Shkakton probleme, shkakton se tash edhe nënat po punojnë shkakton probleme nuk kanë ku me i lanë fëmijët e vegjël, shkakton probleme, ka probleme. Zakonisht është një çerdhe private këtu në fshat, aty i dërgojnë, sa ka kapacitet, gjenden në forma të ndryshme”-ka thënë ai.

Ahmeti theksoi se gjendja e çerdhes është e mirë, por inventari brenda tha se është demoluar nga persona të papërgjegjshëm.

Tutje, tregoi se ata janë ankuar dhe se komuna është e informuar për këto probleme.

Ai shtoi se ky institucion arsimor është në këtë gjendje tash e një kohë të gjatë diku rreth 6-7 vite.

Çerdhja në Greme, Foto: KALLXO.com

Përfaqësuesi i fshatit tregoi se iu është premtuar që brenda një afati kohor të shkurtër çerdhja do të jetë në funksion.

“Ka premtu drejtori që kanë me u nda pagesat, për punëtorë, prej Qeverisë edhe me u aktivizu kanë thënë për sivjet, deri për vit të ri që lëshohet tash çka bëhet, nuk e di”-ka thënë ai për KALLXO.com.

Në anën tjetër, drejtori i Arsimit në Komunën e Ferizajt, Afrim Llabjani ka treguar shkakun se pse nuk është funksionalizuar kjo çerdhe.

“Kjo çerdhe nuk është funksionalizuar deri më tani për shkak të pamundësisë së rritjes së numrit së stafit në listat e pagave në sistemin arsimor”- ka thënë ai.

Drejtori ka thënë që ata kanë tentuar ta ruajnë këtë objekt.

“Ne, si qeveri lokale kemi bërë disa intervenime për të ruajtur sadopak investimin, por përkundër kësaj prapë kemi pas dëmtim të inventarit dhe objektit në disa pjesë”- ka thënë ai.

Ky institucion arsimor nuk dihet se kur do të jetë në funksion.

“Meqenëse Ministria ka filluar që të investoj në funksionalizimin e çerdheve ekzistuese dhe ndërtimin e çerdheve të reja, po besojmë se do na krijohet mundësia që edhe çerdhen në fjalë ta funksionalizojmë, sidomos kur kemi parasysh se kërkesat nga komuniteti i fshatit Greme dhe fshatrave përreth janë të vazhdueshme për çerdhe”- ka thënë drejtori për KALLXO.com.

Drejtori ka treguar se ka kërkesa nga prindërit për funksionalizimin e çerdhes.

Situatën me çerdhen, drejtori Llabjani e ka konsideruar si pengesë në mos ofrimin e edukimit në zhvillimin e fëmijërisë së hershme.

Nga Ministria e Arsimit kanë thënë se investimet nga komunat menaxhohen nga vet ato meqë këtë ua mundëson ligji.

Më tej, ata përmendën arsyen e kësaj zvarritje.

“Sipas informacioneve tona, kjo çerdhe nuk është funksionalizuar për shkak se Drejtoria e Arsimit në Ferizaj, nuk ka mundur të shtojë numrin e punëtorëve të arsimit për ketë çerdhe”-kanë thënë nga MASHT-i.

Më tej, ata i kanë dhënë rekomandime kësaj komune lidhur me këtë çështje.

“Numri i punëtorëve arsimor shtohet automatikisht në bazë të numrit të fëmijëve të regjistruar në formulën e financimit. DKA, respektivisht komuna e Ferizajt duhet t’i drejtohet komisionit për themelim të këtij institucioni si dhe të kryej pranimin e punëtorëve arsimor ku me regjistrimin e fëmijëve, gjenerohet edhe numri i nevojshëm i edukatorëve nëse është mbi numrin e propozuar fillimisht”- thuhet në përgjigjen e tyre për KALLXO.com.

Asamblisti nga Lëvizja Vetëvendosje në Ferizaj, Adnan Selmani, ka treguar se çka iu është thënë lidhur me këtë çështje.

“Pas pyetjes nga asamblisti i zonës të Gremës për punën e çerdhes në këtë fshat, përgjigjja e drejtorit ishte: “që nuk plotësohet norma me staf, pasi aty duhen staf dhe Qeveria nuk na lejon hapje të reja të vendit të punës. Përndryshe çerdhja është e gatshme për funksionalizim””-ka thënë ai për KALLXO.com.

Selmani theksoi se kjo çerdhe është vjedhur nga persona të panjohur, por tha se prapë është rregulluar.

Asamblisti nga Lëvizja Vetëvendosje në Ferizaj, Arbnor Murseli, ka thënë se prej kur ka filluar ky projekt është ditur që nuk do të mund të funksionalizohet pa pasur numër të punëtorëve të planifikuar.

“Ndërtimi i çerdhes së fshatit, Greme ka filluar pa lejimin e normave (të punëtoreve) nga ish-qeveritë, për me u aktivizu kjo çerdhe, pra me shpresë që të rriten normat e çerdhes dhe me fillu puna e saj”- ka thënë ai për KALLXO.com.

Ai ka shtuar se e ka ngritur këtë çështje në Kuvendin Komunal.

“E kam ngritë këtë çështje në Kuvendin Komunal , arsyetimi i tyre ka qenë sigurisht, normat e punonjësve, por unë mendoj që ka pasur mundësi, sepse ka pasur norma të pa shfrytëzuara për vitin 2023 për programin e arsimit parafillor çerdhe”- ka shtuar ai.

Murseli ka theksuar se çerdhja disa herë është dëmtuar, por tha se është rregulluar nga banorët dhe nga niveli lokal.

Ndërsa asamblisti i Partisë Demokratike të Kosovës në Ferizaj, Arian Imeri, ka treguar arsyet se pse ky objekt është akoma jashtë funksionit.

“Nga ajo qe jemi njoftuar edhe nga ekzekutivi problemi qëndron në pamundësinë që të rekrutohet staf për te funksionalizuar këtë çerdhe, por edhe çerdhet tjera. Është një numër i kufizuar i stafit në komunë dhe përkundër investimeve në çerdhe, por edhe në objekte shëndetësore nuk mund të funksionalizohen për shkak të mungesës së stafit”-ka thënë Imeri për KALLXO.com.

Sipas tij, nga niveli qendror duhet të lejohet rritja e numrit të stafit të angazhuar në komunë me qëllim që të funksionalizohen shërbimet bazike siç janë çerdhet dhe shërbimet shëndetësore.

Imeri ka shtuar se kjo çështje është ngritur disa herë nga kolegët asamblistë të cilët vijnë nga fshati Greme, por për momentin kjo ka qenë përgjigjja e ekzekutivit komunal.

Ai ka treguar se ankesat nga banorët e kësaj zone janë kryesisht për çerdhen.

Sipas tij, ky fshat është i zhvilluar me shumë biznese dhe me qytetarë gati të gjithë të angazhuar në bizneset e tyre, prandaj tha se çerdhja funksionale është shumë e nevojshme.

“Mendoj që një qytet si Ferizaj, me numër të banorëve me numër të punësuarve në sektorin publik dhe privat nuk duhet të trajtohet si një qytezë, por duhet të lejohet rritja e numrit të stafit të angazhuar si në çerdhe ashtu edhe në sektorin e shëndetësisë”- ka shtuar ai.

Sipas informacioneve që ai ka ky institucion arsimor nuk është mirëmbajtur.

Kostoja e këtij projekti është 66.666.80 euro.

Kryetari i Komunës, Agim Aliu, në emisionin “Jeta në Komunë”, kishte thënë se çerdhja mund të hyjë në funksion gjatë vitit 2020, po e njëjta nuk është funksionalizuar.