Shpresat për të mbijetuarit po veniten ndërkohë që ekipet e shpëtimit përballen me të ftohtin në Turqi dhe Siri

Pamjet nga e gjithë Turqia jugore dhe veriu i Sirisë shfaqin skena shkatërrimi dhe vuajtjesh ndërkohë që shpresat për gjetjen e të mbijetuarve zbehen më shumë se katër ditë pas tërmetit masiv të së hënës që goditi rajonin e atjeshëm.

Më shumë se 21,000 njerëz kanë vdekur në Turqi dhe Siri dhe punonjësit e shpëtimit tani po garojnë me kohën për t’i tërhequr të mbijetuarit nga rrënojat e ndërtesave të shembura në kushtet e acarta të dimrit.

Të paktën 78,124 njerëz janë të plagosur në të gjithë Turqinë dhe Sirinë, sipas autoriteteve nga këto dy vende.

Një autokolonë ndihmash e OKB-së kaloi nga Turqia në Sirinë veriperëndimore të enjten për herë të parë që kur ndodhi tërmeti. Sipas Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Çështjeve Humanitare, gjashtë kamionët që transportonin sende strehimi dhe sende jo-ushqimore (NFI) kaluan përmes pikës kufitare Bab Al Hawa.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres ka thënë se është i hapur për të ofruar ndihma përmes pikave kufitare shtesë, përveç Bab al-Haëa, i vetmi korridor i ndihmës humanitare i miratuar nga OKB-ja midis Turqisë dhe zonave të kontrolluara nga rebelët në Sirinë veriore.

Në Siri, shkatërrimi i tërmetit shkaktoi mjerim masiv ndërkohë që në këtë vend veçse ka krizë ekzistuese humanitare që rezultoi nga lufta civile më shumë se dhjetëvjeçare. Miliona që jetonin në Sirinë veriperëndimore, pjesa më e madhe e së cilës kontrollohet nga rebelët anti-qeveritarë, po vuajnë tashmë nga efektet e varfërisë ekstreme dhe një shpërthim kolere kur goditi tërmeti.

Tani, shumë prej tyre janë duke u kujdesur për veten e tyre, pasi shumë vende perëndimore kanë refuzuar t’i dërgojnë ndihmë drejtpërdrejt regjimit sirian, i cili është nën sanksionet e SHBA-së dhe BE-së.

Mbrojtja Civile e Sirisë, e njohur si Helmetat e Bardha, ka paralajmëruar se shpresa për të gjetur të mbijetuar po venitet brenda Sirisë.

Mousa Zidane, vullnetar i Mbrojtja Civile e Sirisë i tha CNN të enjten se si pasojë e tërmeteve, “dhjetëra mijëra familje janë aktualisht të pastreha në të gjithë Sirinë veriperëndimore”.

Moti i ftohtë po e shton katastrofën, shtoi ai, ndërkohë që ekipet e shpëtimit po përpiqen t’i nxjerrin njerëzit nga nën rrënoja.

Në provincën e Idlibit të kontrolluar nga rebelët, një burrë i tha AFPTV të enjten se kishte gërmuar nëpër rrënoja me duar teksa kërkonte 30 të afërm në fshatin Besnaya.

Malik Ibrahim, 40 vjeç, tha se kishte gjetur 10 trupa, pasi kishte kërkuar për dy ditë pa gjumë.

“Është diçka e pashpjegueshme, nuk di se si të shprehem me fjalë,, është tragjike”, tha ai. “E gjithë familja është zhdukur dhe të gjitha kujtimet tona janë varrosur bashkë me ta”./CNN

 

Përgatiti: Nuhi Shala