Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Bislimi u bën thirrje shqiptarëve në Luginë të Preshevës të dalin e të votojnë në zgjedhjet e së dielës në Serbi
Në prag të zgjedhjeve në Serbi, zëvendëskryministri i Kosovës, Besnik Bislimi, u ka bërë thirrje shqiptarëve në Luginë të Preshevës që të dalin dhe të votojnë.
Sipas Bislimit, secila votë është e vlefshme dhe kjo duhet të dëshmohet me vendosmëri e guxim të dielën e 17 dhjetorit, kur edhe do të mbahen zgjedhjet në Serbi.
‘’Shqiptarët duhet të mbrojnë dhe avancojnë të drejtat dhe liritë për komunitetin tonë që jeton në atje. Vota e 17 dhjetorit, është votë për rezistencë. Për rezistencë kundër autoritarizmit dhe shtypjes’’ – ka shkruar Bislimi në profilin e tij në Facebook.
Megjithatë Bislimi shpreh shqetësimin e tij se zgjedhjet lokale në Serbi po përballen me shumë shkelje, duke veçuar ato në Medvegjë.
‘’Gjithashtu është shqetësuese që për zgjedhjet lokale në Medvegjë, votuesit nga Kosova që duan të shprehin vullnetin e tyre të lirë, mund të përballen me rrezikun potencial të pengesave administrative në kufi’’ – ka thënë Bislimi.
Në lidhje me këtë situatë, Bislimi thotë se e ka njoftuar të deleguarin e posaçëm të Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ndaj të cilit ka kërkuar gatishmërinë e BE-së që të ndërhyjë në pikën kufitare në Mutivodë në rast të paraqitjes së shkeljeve të tilla.
‘’Zërat e fuqishëm duhet t’i dalin ballë Luginës. Zëri i fuqishëm në parlament, ai i Shaip Kamberit me numër 13, por sidomos dhe ai në nivel lokal, veçanërisht në Medvegjë me numër 2’’ – ka shtuar Bislimi.
Më tej, Bislimi ka theksuar se institucionet qendrore e lokale serbe i kanë targetuar për diskriminim e shtypje shqiptarët në drejtësi e gjyqësor, arsim, shëndetësi e kulturë, qasje në punësim e ndërmarrje publike.
”Edhe pasivizimi i adresave është përpjekje e mëtejshme e vazhdueshme për spastrim etnik administrativ e institucional” – ka thënë ai.
Përveç Bislimit, thirrje shqiptarëve të Luginës për të votuar u ka bërë edhe ministri i Mjedisit, Liburn Aliu, i cili është takuar personalisht me politikanin shqiptar nga Lugina e Preshevës, Shaip Kamberi.