Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Bislimi për Raportin e Progresit: Është përfshirë 6 mujori i Qeverisë Hoti dhe 6 mujori i Qeverisë Kurti

Zëvendëskryeministri i Kosovës për Integrime Evropiane, Zhvillim, dhe Dialog, Besnik Bislimi, ka thënë se i marrin me seriozitet gjetjet e Raportit të Porgresit për Kosovën të këtij vitit.

Bislimi ka shtuar se në Qeverinë Kurti 2, procesi i integrimit evropian qysh në muajin e parë ka marrë rëndësi primare.

“Nga ministria kjo çështje është zhvendosur në Zyrën e Kryeministrit, jemi përkujdesur që memoria institucionale e ministrisë së integrimeve të avancohet”, ka thënë ai.

Ai tutje ka komentuar gjetjet e Raportit të Progresit.

“Ne i marrim me shumë seriozitet këto brenga, janë brenga tonat para se të jenë BE-së. Ky raport ngërthen në vete 2 gjashtë mujor që janë krejtësisht të ndryshëm nga njëri tjetri, është gjashtë mujori i qeverisë Hoti dhe pastaj i qeverisë Kurti, dhe pastaj janë munduar që t’i ngërthejnë këto dy gjashtë mujor. Metodologjia e ka pak problem me operu në rrethana specifike siç ka qenë rasti i Kosovës, sidomos në ato rrethana ku ka ndryshime substanciale”, tha Bislimi.

Këto deklarata Bislimi i ka dhënë në tryezën e diskutimit në Kuvendin e Kosovës me temën: “Raporti i BE-së për Kosovën”, organizuar nga Instituti EPIK dhe Komisioni për Integrim Evropian.

Komisioni Evropian, më 19 tetor 2021 ka miratuar Raportin e Progresit për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqinë.

Gjetjet e raportit për Kosovën tregojnë sfidat, ngecjet dhe përparimet në fusha të ndryshme, për të cilat ka raportuar KALLXO.com.