'Betejë grafitesh në rrugët e Beogradit' ndërkohë që Serbia përpiqet t’i shtypë mërgimtarët rusë anti-Putin

Rreth 200,000 rusë kanë ikur në Serbi, ku përballen me kërcënime dhe dhunë nga e djathta nacionaliste.

I armatosur me një furçë dhe një kovë me bojë gri, aktivisti rus kundër luftës Ilya Zernov ecën nëpër Beograd derisa arrin tek një mural të madh që shkruan “Vdekje Ukrainës” në anën e një blloku apartamentesh.

Ndërkohë që Zernov, 19 vjeç, filloi të pikturonte mbi muralin, ai tha se u fut në qoshe nga tre burra serbë të cilët e urdhëruan të ndalonte. “Njëri prej tyre nxori një thikë… Më pas më goditi me grusht në veshin e djathtë”, ka thënë Zernov për Observer, i cili u largua nga vendlindja e tij Kazan menjëherë pasi trupat e Vladimir Putin pushtuan Ukrainën.

Sulmi ndaj tij e ka lënë atë me një daulle veshi të shpuar, mirëpo Zernov thotë se ishte i lumtur që arriti ta mbulonte të paktën pjesërisht muralin. “Si rus, ndjeva se ishte përgjegjësia ime të bëja diçka. Grafitet lavdëronin dhunën”.

Zernov është një nga rreth 200,000 rusët që janë larguar për në Serbi që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës nga Moska, duke e bërë këtë vend ballkanik një nga destinacionet kryesore të mërgimit për ata që ikin nga pasojat e luftës së Kremlinit.

Ndryshe nga pjesët e tjera të Europës, rusët nuk kanë nevojë të pajisen me vizë për të hyrë në Serbi dhe janë mirëpritur kryesisht në Beograd duke pasur parasysh lidhjet historike midis dy vendeve të krishtera ortodokse.

Emigrantët e rinj kanë hapur kafene dhe galeri, kanë regjistruar më shumë se 2000 biznese të reja dhe madje i kanë dhënë një shtysë tregut të pronave.

Megjithatë, në një vend ku regjimi i Putinit gëzon mbështetje të konsiderueshme nën një qeveri nacionaliste gjithnjë e më të sigurt të udhëhequr nga presidenti Aleksandar Vuçiq, aktivistët, të tillë si Zernov, janë përballur me ngacmime dhe dëbime.

Beogradi ka kryer prej kohësh një akt delikat balancues midis aspiratave të tij për BE nga njëra anë dhe lidhjeve të tij shekullore etnike dhe fetare me Rusinë. Vuçiq ka refuzuar të vendosë sanksione kundër Rusisë për agresionin e saj suhtarak kundër Ukrainës, ndërsa Moska vazhdon të shërbejë si aleati kryesor i Serbisë në kundërshtimin e pavarësisë së ish-krahinës së saj, Kosovës.

Duke u ndjerë i pasigurt në Beograd, Zernov është larguar nga qyteti për në Berlin. Para largimit të tij, ai ishte një anëtar aktiv i Shoqërisë Demokratike Ruse (RDS), një organizatë kundër luftës e themeluar vitin e kaluar për t’i bërë bashkë të gjithë rusët që ndajnë një mendim të njëjtë.

“Ka një betejë grafitesh në rrugët e Beogradit”, thotë Pyotr Nikitin, themeluesi i RDS, duke renditur murale të tjera në qytet që i përshëndesin dhe mirëprsin trupat ruse në Ukrainë dhe grupin famëkeq mercenar Wagner.

“Ne pikturojmë mbi murale pro-luftës, por më pas dalin të reja”, thotë Nikitin gjatë drekës në TT Bistro, një restorant rus i hapur së fundmi.

Nikitin thotë se e ka themeluar RDS menjëherë pas fillimit të luftës në Ukrainë, kur pa se shumë bashkatdhetarë po kërkonin një mënyrë për ta shprehur kundërshtimin e tyre ndaj saj. Që atëherë, grupi ka organizuar një seri marshimesh në Beograd.

Ndërkohë që anëtarësimi i RDS-së ka shënuar rritje pas mobilizimit ushtarak të Rusisë në shtator të vitit 2022, që rezultoi me mijëra rusë teksa ikin në Serbi për të shmangur draftin, ky grup ra në vëmendjen e autoriteteve serbe.

 “Së pari, ne pamë një fushatë të organizuar mediatike kundër nesh”, thotë Nikitin, duke iu referuar mbulimit negativ që organizata e tij mori në mediat pro-Vuçiq.

Disa politikanë serbë të ekstremit të djathtë folën gjithashtu kundër fluksit të rusëve kundër luftës, të cilët ata pretenduan se po përpiqeshin ta destabilizonin vendin.

“Është një revolucion i vërtetë i liberalëve”, that për revistën Politico marsin e kaluar Misha Vaçiq, lideri i partisë politike ultra-nacionaliste pro-Kremlinit të Djathtë Serbe. “Ata mendojnë se duhet ta çlirojnë Serbinë nga serbët, nga vlerat tradicionale serbe”, ka shtuar Vaçiq.

Nikitin, i cili i ka hedhur poshtë pretendimet se organizata e tij është e interesuar të ndikojë në politikën serbe, thotë se situata u përkeqësua ndjeshëm këtë verë.

Ai tha se takimet e RDS ishin ndërprerë në mënyrë rutinore dhe se bankat serbe kishin refuzuar kërkesën e grupit për të hapur një llogari që do t’i lejonte këtij grupi të mblidhte fonde për bamirësi kundër luftës.

Në korrik, policia serbe e ndaloi Nikitin të hynte në vend, duke i përmendur shqetësimet e sigurisë kombëtare.

Nikitin, i cili ka një leje të vlefshme qëndrimi afatgjatë, është i martuar me një serbe dhe ka dy fëmijë që kanë lindur në Serbi, më në fund u lejua të hyjë në Serbi pasi kaloi një natë në aeroport. Menjëherë pas kësaj, Vladimir Volokhonskyt, një këshilltar i opozitës në Shën Petersburg, i cili bashkëthemeloi RDS-në në Beograd, iu anulua leja e qëndrimit në Serbi për arsye të ngjashme, dmth se ai ishte një kërcënim për sigurinë kombëtare.

Nikitin dhe aktivistë të tjerë rusë kanë thënë se sulmet kundër tyre ishin mbikëqyrur nga shefi i inteligjencës së Serbisë, Aleksandar Vulin, i cili besohet gjerësisht të jetë i afërt me shërbimet ruse të sigurisë.

Mediat serbe kanë raportuar gjithashtu se Agjencia e Sigurisë dhe Informacionit të Vulin-it (BIA) ka përgjuar një takim të vitit 2021 të anëtarëve të opozitës ruse në Beograd.

Vulin dyshohet se i ka marrë regjistrimet e bisedave në Moskë dhe ia ka dorëzuar Nikolai Patrushevit, kreut të Këshillit të Sigurimit të Rusisë.

“Duke vënë në shënjestër liderët e lëvizjes kundër luftës në Beograd, autoritetet serbe po përpiqen t’i detyrojnë të tjerët të qëndrojnë të heshtur”, thotë Nikitin. “Është demoralizuese kur shteti punon kundër teje. Por gjithsesi, ne përpiqemi të bashkohemi dhe të shprehim mendimet tona”.

Vendet e koncerteve dhe sallat e leksioneve në Beograd janë shfaqur si pika të gjalla grumbullimi për rusët. Që nga fillimi i luftës, dhjetëra artistë të shquar rusë janë larguar nga Rusia, në vend të kësaj duke bërë turne nëpër qytete anembanë Europës.

“Mendova se ishte jashtëzakonisht e rëndësishme t’i bashkoja njerëzit që janë të bashkuar nga kundërshtimi i tyre ndaj kësaj lufte”, thotë Yevgeny Irzhansky, një qytetar rus i cili ka organizuar koncerte nga grupe dhe ngjarje artistike kundër luftës në Beograd. “Ne shpresonim të kultivonim një komunitet të lidhur ngushtë këtu”, shton Irzhansky.

Mirëpo, edhe ai ka hasur në telashe me autoritetet serbe.

Në qershor, Irzhansky u mor në pyetje nga policia lokale për pikëpamjet e tij për Rusinë dhe luftën.

Dy muaj më vonë, ai u thirr nga zyrtarët serbë të emigracionit, të cilët e informuan se i ishin anuluar lejet e qëndrimit dhe se kishte kohë shtatë ditë për t’u larguar nga Serbia. “Nuk kam dyshim se ata vendosën të më përjashtojnë për shkak të pikëpamjeve të mia dhe rolit tim si organizator koncerti”.

“Shumica e muzikantëve dhe folësve rusë të ftuar janë në listën e zezë në Rusi dhe shumica e tyre jetojnë jashtë Rusisë sepse mund të arrestohen atje”, thotë Irzhansky, i cili që atëherë është zhvendosur në Malin e Zi fqinj.

Por pavarësisht presionit, shumë rusë në Beograd mbeten sfidues. Të dielën e fundit, rreth 5,000 njerëz u mblodhën në arenën MTS Dvorana për ta dëgjuar Bi-2, një grup i njohur rock bjelloruso-rus që ndaloi së performuari në Rusi pasi këngëtari kryesor kritikoi luftën.

Me përfundimin e koncertit, një grup u mblodh jashtë.

“Është një ndjenjë e mirë të vish në koncerte si këto dhe të flasësh me njerëz që mendojnë në të njëjtën mënyrë”, thotë Anton, i cili u largua nga Moska menjëherë pas fillimit të luftës. “Është e rëndësishme që bota ta dijë se shumë rusë janë kundër luftës”.

Ky nen u ndryshua më 29 tetor të vitit 2023 sepse një version i mëparshëm i referohej Aleksandar Vuçiqit si kryeministër i Serbisë, ndërsa ai tani është president./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala