Ministri Vitia: Onkologjia është e furnizuar me rreth 80% të produkteve

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka thënë sot se në Klinikën e Onkologjisë në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës ka furnizimin me rreth 80% të produkteve.

Në Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Vitia shtoi se në Onkologji është funksionalizuar rezonanca magnetike në fund të janarit.

Fatmire Kollçaku (LVV),  kryetare e këtij komisioni ka përshëndetur disa nga planet e kësaj ministrie siç është decentralizimi i shërbimeve sidomos në onkologji, furnizimi me rezonanca magnetike, projekti i transparencës radikale, etj.

Kurse Armend Zemaj (LDK),  nënkryetar i këtij komisioni tha se ekspozeja që e dëgjuan nga ministri Vitia është me kërkesë të komisionit.

Zemaj bëri disa komente lidhur me disa shqetësime, duke kritikuar Vitinë.

“E para jemi duke folur dy vite pas ardhjes së qeverisë Kurti në pushtet. Gati 100 ditë ministria e Shëndetësisë ka qenë me ushtrues detyre” – ka thënë Zemaj.

Ministri Vitia u arsyetua duke thënë se kanë qenë dy vite të vështira pandemie dhe se sot po vuajnë një sërë pasojash nga 20 vitet paraprake dhe se tani po përballen me disa probleme të kaluara.

Vitia ritheksoi  se “me kryeministrin Albin Kurti shëndetësia është prioritet i kësaj qeverie”.

Për ndërtimin e Spitalit të Ferizajt, ai tha se po fillojnë procedurat.

Vitia foli edhe për punësimin e tij në një spital privat dhe tha se ajo lëndë është dërguar në Agjencionin Kundër Korrupsionit.

Sipas tij AKK nuk ka gjetur konflikt interesi për pozitën e tij në spitalin privat. Për ata që tha se kanë shpifur për ta njollosur emrin e tij, Vitia tregoi që është duke përgatitur padi.