Vitia në Komisionin për Shëndetësi: Ka shumë mungesa bazike në spitale

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia sot në Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale ka folur për disa projekte, mungesa e furnizime të institucioneve shëndetësore. Ai pati edhe kritika për menaxhmentet e spitaleve.

Vitia ka përmendur se ka shumë mungesa bazike në spitale.

“Ka shumë mungesa në kushte bazike në spitale. Vëmendja është te trajtimi shëndetësor bazik. Ka kulturë pune të munguar në planifikim, që po marrim masa ta tejkalojmë. Menaxhmentet e spitaleve duhet të performojnë krejt ndryshe çka kanë bërë deri tash”- tha Vitia.

Sipas tij buxheti është rritur, prandaj natyrisht që duhet të rritet edhe llogaridhënia.

Ai ka përmendur edhe mbulimin e listës për barna esenciale në vlerë prej 60 milionë eurove, financimi i 44 pozitave të reja të Inspektoratit Shëndetësor, vijimi i investimeve në klinika, spitale dhe qendra të mjekësisë familjare.

Vitia tha se Agjenda legjislative për vitin 2023 është miratuar dhe pret mbështetje.

Për vaksinimin kundër gripit, ministri tha se ka filluar me kohë, ndërkaq tha se furnizimi me insulina ka qenë 100 për qind.

Furnizimi në nivelin dytësor e tretësor ka qenë më i mirë se vitet paraprake përkundër që ka pasur shumë sfida.

“Kemi gjetur të bllokuara disa projekte për qendrën emergjente, për QKMF-të në Drenas, Ferizaj, Istog dhe Mamushë” – tha kreu i shëndetësisë në Kosovë.

Mirëpo, sipas Vitisë janë ndërmarrë hapa konkret për zhbllokimin e këtyre projekteve.