Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Bedri Hamza: Vendimi që KOSTT të obligohet për pagesë të energjisë në veri nuk është i ligjshëm

Nënkryetari i Kuvendit nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, në një konferencë për media ka folur lidhur me vendimin e Kuvendit të Kosovës që KOSTT të paguajë energjinë elektrike në komunat veriore.

Hamza para mediave ka thënë se ky vendim është në kundërshtim me ligjin, pasi ndërmarrja KOSTT është pronë e Republikës së Kosovës.

“Ashtu si jemi në dijeni sot Kuvendi me shumicën e votave të partive në pushtet ka aprovuar rekomandimin e Komisionit për ekonomi për përkrahjen në dhënie të mjeteve shtesë ndërmarrjes KOSST. Kjo është në kundërshtim me ligjin, për shkak se KOSTT është ndërmarrje publike në bazë të statutit dhe është pronë e Republikës së Kosovës, ku aksionari i ushtron të drejtat e veta përmes Kuvendit. Kjo është shkelje e qeverisjes kooperative pasi kjo ndërmarrje ka bord dhe kuvendi nuk ka të drejtë të ndërhyjë në menaxhmin e saj”, ka thënë Hamza.

Tutje sipas Hamzës, vendimi  i partive në pushtet për ndarje të 11 milionë eurove i dëmton qytetarët e Kosovës pasi nuk është ligjore që ata të paguajnë energji për pjesë tjera të vendit.

“Kjo i dëmton qytetarët e Kosovës, sepse bordi është dashur që pas shikimit të pasqyrës financiare të deklarojë dividendën dhe të shkojë në Kuvendin e Kosovës, kjo pasi është para publike, ne e kemi një vendim të gjykatave që qytetarët e Kosovës nuk është ligjore të paguajnë energji për pjesë tjera, prapë e njëjta gjë po bëhet në mënyrë indirekte”, ka thënë tutje Hamza.

Bedri Hamza po ashtu tha se është absurde të zvogëlohen pensionet e njëkohësisht KOSTT të autorizohet për pagesë të energjisë.

“Eshtë absude të zvogëlohen pensionet kinse në mungesë të mjeteve, por njëkohësisht pa bazë të qartë legale merret vendim që të autorizohet KOSTT për pagesë të energjisë. Ne do e shqyrtojmë ligjshmërinë e këtij vendimi dhe Qeveria nuk ka nevojë të fshihet, duhet të jepet përgjegjësi, nuk ke të bësh vetëm më veprime populliste, prandaj Qeveria është dashur ta adresojë këtë punë, jo Kuvendi të shndërrohet në një institucion i cili nuk i respekton ligjet,” ka theksuar Hamza.

Kuvendi obligon KOSTT-in, të paguajë energjinë elektrike në veri