Takimi i 18 gushtit ndërmjet kryeministrit të Republikës së Kosovës Albin Kurti me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në Bruksel me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian

BE: Takimi i radhës Kurti - Vuçiq më 2 maj në Bruksel

Bashkimi Evropian ka njoftuar sot se është themeluar Komisioni i përbashkët për monitorimin e zbatimit të marrëveshjes së arritur mes Kosovës dhe Serbisë.

Marrëveshja për normalizim të marrëdhënieve është arritur më 27 shkurt në Bruksel ndërsa pajtueshmëria për aneksim e saj më 18 mars në Ohër.

BE po ashtu ka njoftuar se takimi i radhës i nivelit të lartë, mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq do të zhvillohet më 2 maj në Bruksel.

“Termat e Referencës pritet të finalizohen dhe miratohen në takimin e parë të Komitetit, i cili do të zhvillohet pas takimit të radhës të dialogut të nivelit të lartë i planifikuar të mbahet në Bruksel të martën më 2 maj”- thuhet në njoftimin e BE-së.

Tutje është bërë e ditur se Komisioni i përbashkët për monitorimin e zbatimit të marrëveshjes do të kryesohet nga Përfaqësuesi Special i BE-së për Dialogun Beograd-Prishtinë, Miroslav Lajçak.

Ndërsa, Kosova do të përfaqësohet nga ambasadori i saj në Bruksel, Agron Bajrami dhe Serbia nga kryenegociatori Petar Petkoviq.

Në njoftim thuhet se Komiteti do të takohet rregullisht në Bruksel.

Më 18 mars në Ohër, Kosova dhe Serbia janë dakorduar për ankesin e zbatimit të planit të Bashkimit Evropian i njohur ndryshe si Plani franko-gjerman.

Palët nuk e nënshkruan marrëveshjen, por BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë deklaruar se pavarësisht se nuk është firmosur, ajo është marrëveshje e obligueshme për palët.

Marrëveshja, prej 11 nenesh, nuk përmend në mënyrë specifike njohjen e ndërsjellë. Megjithatë, dokumenti kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.

Dokumenti kërkon gjithashtu nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, e cila kërkohet më urgjencë si nga Serbia ashtu edhe nga Bashkimi Evropian dhe SHBA.

Përmbajtja e planit franko-gjerman