Takimi i 27 shkurtit në Bruksel mes të kryeministrit Albin Kurtit dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq | Foto: BE

BE: Nesër nuk do të ketë takim Kurti-Vuçiq

Nesër në Bruksel nuk do të ketë takim të nivelit të lartë në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq.

Kështu ka bërë të ditur në një konferencë për media, zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Peter Stano.

Sipas tij, takimet individuale që pritet të zhvillohen nesër janë vazhdimësi e vizitës së të dërguarit special, Mirosllav Lajçak, në Beograd e Prishtinë gjatë fundjavës, i cili ishte i shoqëruar nga këshilltarët e jashtëm dhe të sigurisë të liderëve të Francës, Gjermanisë dhe Italisë, si dhe emisarin e SHBA-së.

“Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, janë ftuar në Bruksel për një seri të takimeve individuale me liderë të caktuar të BE-së. Në këtë fazë nuk do të futem në detaje logjistike, do t’i bëjmë të ditura më vonë. Por, ideja është të kemi takime në margjina të Këshillit Evropian në mbështetje të dialogut”- tha ai.

Stano ka thënë se nga Kosova dhe Serbia pritet që menjëherë dhe pa kushte të kthehen në dialog.

“Në presim të dy palët Serbia dhe Kosova që menjëherë dhe pa kushte të kthehen të kthen për ti përmbushur obligimet e tyre të dialogut, menjëherë dhe pa kushte fillim të punës në deeskalim dhe punë të vazhdueshme për deeskalim. Pa asnjë kusht rifillim dhe bashkëpunim në dialog. Por nesër nuk do të ketë takim të nivelit të lartë të dialogut, këto janë siç thash, takime individuale” – tha tutje ai.

Qeveria e Kosovës ka pranuar që plani i ri, i propozuar nga pesë emisarët, të jetë korniza e vazhdimit të diskutimeve të mëtejshme me shtetet aleate, ShBA, Gjermani, Francë dhe Itali.

Më 26 tetor 2023, pritet që kryeministri Kurti të takohet me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni, kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz, dhe shefin e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell.

Më 21 tetor 2023, i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë- Serbia, Miroslav Lajçak i shoqëruar nga i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe emisarët e Gjermanisë, Francës, Italisë, qëndruan në Prishtinë dhe zhvilluan një takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Pas këtij takimi Lajçak tha se i kanë propozuar një plan Kurtit, mirëpo pa dhënë detaje për përmbajtjen e tij, teksa shtoi se të njëjtin do ta prezantonin edhe para presidentit serb.

Më 24 tetor 2023, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha se gjatë takimeve në Kosovë dhe Serbi në fundjavë dhe shkëmbimeve me palët, blloku evropian ka paraqitur një propozim “modern evropian” për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë. Sipas tij, BE-ja pret që palët të ndërmarrin veprime të shpejta për normalizimin e raporteve.

Kurti pranon që plani i pesë emisarëve të jetë kornizë e vazhdimit të diskutimeve