Emisarët përëndimor, Foto: ZKM

Kurti pranon që plani i pesë emisarëve të jetë kornizë e vazhdimit të diskutimeve

Qeveria e Kosovës ka pranuar planin e ri të pesë emisarëve ndërkombëtarë, i cili iu prezantua kryeministrit Albin Kurti por edhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq në takimin e 21 tetorit.

Nga Qeveria thonë se më 21 tetor, diplomatët gjatë vizitës së tyre propozuan një plan të ri që përfshinte një paketë më të plotë të zbatimit gjithëpërfshirës të Marrëveshjes Bazike bashkërisht me një draft të propozuar për zbatimin e nenit 7.

“Kryeministri Kurti i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së 5 emisarëve për një takim me liderët e Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Presidentes së Komisionit Evropian, në margjina të Samitit të Këshillit Evropian. Takimi do jetë në kuptim të diskutimeve të nisura me 5 emisarët gjatë vizitës së tyre në Prishtinë me datën 21 tetor, në të cilin ata propozuan një plan të ri që përfshinte një paketë më të plotë të zbatimit gjithëpërfshirës të Marrëveshjes Bazike bashkërisht me një draft të propozuar për zbatimin e nenit 7”- ka deklaruar për KALLXO.com, këshilltari për media në Qeveri, Klisman Kadiu.

Neni i 7 i Marrëveshjes Bazike apo i njohur ndryshe në publik si plani franko-gjerman, thotë se  “Të dyja palët angazhohen të krijojnë marrëveshje dhe garanci specifike, në përputhje me instrumentet përkatëse të Këshillit të Evropës dhe duke u mbështetur në përvojat ekzistuese evropiane, për të siguruar një nivel të duhur të vetë-menaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe aftësinë për ofrimin e shërbimeve në fusha specifike, duke përfshirë mundësinë e mbështetjes financiare nga Serbia dhe një kanal të drejtpërdrejtë komunikimi për komunitetin serb me Qeverinë e Kosovës”.

Më tej në nen thuhet se palët do të zyrtarizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe do të ofrojnë nivel të fortë mbrojtjeje për objektet e trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe, në përputhje me modelet ekzistuese evropiane.

Kadiu në një prononcim për KALLXO.com tha se Kurti ka shprehur dakordimin e tij që plani i ri, i propozuar nga pesë emisarët, të jetë korniza e vazhdimit të diskutimeve të mëtejshme me shtetet aleate, ShBA, Gjermani, Francë dhe Itali, e cila sipas kreut të ekzekutivit, do të duhej të siguronte një komponent të fuqishëm të sigurisë dhe gjithashtu të fuqizonte perspektivën e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.

“Kryeministri Kurti ka shprehur dakordimin e tij që ky plan i ri të jetë korniza e vazhdimit të diskutimeve të mëtejshme me shtetet aleate, ShBA, Gjermani, Francë dhe Itali, e cila do të duhej të siguronte një komponent të fuqishëm të sigurisë dhe gjithashtu të fuqizonte perspektivën e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare”- është shprehur Kadiu.

Më 26 tetor 2023, pritet që kryeministri Kurti të takohet me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni, kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz, dhe shefin e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell.

Kadiu thotë se detajet e takimit në Bruksel nuk i janë bërë të ditura Kurtit, megjithatë “ai shprehet i gatshëm të përfshihet në diskutime përmbajtësore me kushtin që ato të jenë në linjë me parimin e gjithëpërfshirjes”.

“Agjenda dhe detajet e takimit në Bruksel nuk i janë bërë të ditura Kryeministrit Kurti, megjithatë ai shprehet i gatshëm të përfshihet në diskutime përmbajtësore me kushtin që ato të jenë në linjë me parimin e gjithëpërfshirjes”- ka theksuar Kadiu.

Më 21 tetor 2023, i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë- Serbia, Miroslav Lajçak i shoqëruar nga i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe emisarët e Gjermanisë, Francës, Italisë, qëndruan në Prishtinë dhe zhvilluan një takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Pas këtij takimi Lajçak tha se i kanë propozuar një plan Kurtit, mirëpo pa dhënë detaje për përmbajtjen e tij, teksa shtoi se të njëjtin do ta prezantonin edhe para presidentit serb.

“Gjithmonë e  kemi një plan, kemi diskutuar planin tonë me kryeministrin Kurti dhe do e diskutojmë planin tonë edhe me presidentin Vuçiq dhe besoj që e kuptoni se nuk do të hyjë në detaje në këtë pikë” – deklaroi Lajçak të shtunën.

Pasdite u takuan në Beograd me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Gjatë së martës, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha se gjatë takimeve në Kosovë dhe Serbi në fundjavë dhe shkëmbimeve me palët, blloku evropian ka paraqitur një propozim “modern evropian” për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë. Sipas tij, BE-ja pret që palët të ndërmarrin veprime të shpejta për normalizimin e raporteve.

“Diskutimet e të dërguarit të posaçëm [të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi], Mirosllav Lajçak, gjatë fundjavës në Beograd dhe Prishtinë ishin të fokusuara në zbatimin e Aneksit të Ohrit. Nuk ka ndonjë qëllim që ai të zëvendësohet. U diskutuan propozime dhe ide të ndryshme – disa me shkrim – dhe këto diskutime do të vazhdojnë. Kjo po ashtu përfshin edhe një propozim modern evropian për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, tha Stano.

Stano iu referua Aneksit për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve të arritur më herët gjatë vitit.

Kjo marrëveshje, prej 11 nenesh, mes tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të dialogut.

BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara u kanë bërë thirrje palëve që të zbatojnë Marrëveshjen drejt normalizimit.

Qeveria e Kosovës deri më tani nuk e ka themeluar Asociacionin e komunave me shumicë serbe, duke shprehur frikën se mund të cenojë funksionalitetin e shtetit. Serbia, ndërkaq, insiston në themelimin e tij.

Takimet e paralajmëruara në Bruksel vijnë në kohën e rritjes së tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë.