Auditori: Presidenca u dërgua te përmbaruesi për shërbime postare pas skadimit të kontratës

Zyra e Presidentit të Kosovës gjatë vitit 2020 ishte dërguar te përmbaruesi për marrjen e shërbimeve postare.

Sipas raportit të Zyrës Kombëtare të Auditimit, përkundër përfundimit të kontratës për shërbime postare, ZPRK kishte vazhduar me marrjen e shërbimeve pa procedura të ripërtritjes së kontratës.

Zyra Kombëtare e Auditimit thotë se për kompensimin e këtyre shërbimeve, përmes përmbaruesit privat nga Thesari ishte kryer pagesë direkte në vlerë 3,988€. Prej kësaj vlere, borxhi kryesor ishte 3,311€ ndërsa 677€ ishin shpenzime për shërbime gjyqësore dhe të përmbarimit.

Auditori thotë se kjo ka ndodhur për shkak të kërkesave për shërbime postare të domosdoshme edhe pse për këto shërbime kishte përfunduar vlera dhe afati i kontratës.

Sipas Auditorit, hyrja në detyrime financiare në mungesë të kontratës apo të një baze të qartë ligjore, ndikon në shpenzimin e buxhetit për qëllime tjera të paplanifikuara me buxhetin e vitit aktual si dhe shpenzime shtesë në emër të shpenzimeve gjyqësore dhe të përmbarimit.

ZKA ka rekomanduar që sekretari i përgjithshëm duhet të bëjë me kohë planifikimin e procedurave të prokurimit dhe lidhjen e kontratave për këto shërbime të domosdoshme, për të parandaluar pagesat e parregullta dhe të pakontraktuara.

Ndërsa, bazuar në Rregullen Financiare Nr.01/2013/MF – Shpenzimi i Parave Publike Neni 26, pika 1 citon: asnjë detyrim që është rezultat i një dokumenti, marrëveshje apo aranzhimi nuk zbatohet nëse dokumenti, marrëveshja ose aranzhimi i këtillë që themelon apo rezulton në lindjen e këtij detyrimi është përpiluar, pranuar apo lidhur në një mënyrë që nuk i përmbush kushtet e përcaktuara në dispozita e LMFPP. Më tutje, Neni 2. Për procedim të pagesës kërkohen këto dokumente, pika 2.2 Kopja e kontratës që është nënshkruar nga zyrtari përgjegjës i prokurimit si kopje autentike e origjinalit.

Gjatë vitit vitit 2020 president i Kosovës ishte Hashim Thaçi, i cili dha dorëheqje nga ky post në ditën (më 5 nëntor) që ndaj tij u konfirmua aktakuza nga Gjykata Speciale.

Ushtruese e detyrës së presidentit u bë kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, e cila u zgjodh presidente më 4 prill 2021.