Kandidati për kryetar të Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq

Atiq: Sulmi me granatë dore në objektin e komunës është sulm i organizuar terrorist

Mbrëmë në orët e vona të natës, objekti i Komunës së Mitrovicës së Veriut është sulmuar me granatë dore.

Në lidhje me këtë ka reaguar kryetari i zgjedhur i kësaj komune, Erden Atiq. Ai ka quajtur atë sulm terrorist.

“Sulmi i mbrëmshëm me granatë dore M75 në objektin e komunës sonë është padyshim sulm i organizuar terrorist. Këto akte kriminale e terroriste që tentojnë të ngjallin frikë nuk do të ia dalin. Institucionet do të funksionojnë pavarësisht sulmeve e kërcënimeve të tilla” – ka thënë ai.

Ai ka kërkuar nga organet e ndjekjes të zbardhin rastin dhe aktorët e sulmit të vihen para drejtësisë.

Ndaj rastit ka reaguar edhe Ministria e Punëve të Brendshme që drejtohet nga Xhelal Sveçla.

“Nga ky akt kriminal, janë dëmtuar dhe dy vetura zyrtare që gjendeshin pranë objektit. Policia e Kosovës ka marrë masat e menjëhershme në investigimin e rastit dhe identifikimin e autorëve” – thuhet në reagim.

“Sulmet e vazhdueshme terroriste ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës, duhet të përballen me reagim të ashpër nga të gjithë. Këto janë tentativa të njëpasnjëshme nga ana e Serbisë për të eskaluar situatën në veri të vendit. Ne mbesim vigjilent dhe të angazhuar për rend dhe siguri për të gjithë qytetarët pa dallim” – thuhet në reagimin e MPB-së të publikuar në rrjetin social Facebook.