Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

‘Atentat ndaj qytetarëve’ e quan Arben Gashi i LDK-së nenin 7 të marrëveshjes Kosovë - Serbi

Shefi i grupit parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Arben Gashi, ka thënë se me marrëveshjen e Ohrit përkatësisht me nenin 7, qeveria e drejtuar nga Albin Kurti do ta themeloj autonominë territoriale për komunat me shumicë serbe.

“Tash po e themeloni Asociacionin në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe po shkoni përtej asaj që është dialoguar ndonjëherë dhe që është arritur ndonjëherë, ju po themeloni autonominë territoriale për komunat me shumë serbe” – tha ai në seancën e Kuvendit.

“Kjo autonomi territoriale për komunat me shumicë serbe e paraparë në nenin 7 është shkelja me e rëndë dhe atentati më i rëndë që i bëhet qytetarëve të Kosovës, Kushtetutës së Kosovës dhe vullnetit politik të shprehur në këtë vend”- shtoi ai.

Sipas Gashit, qeveria Kurti 2 në vitin e dytë të qeverisjes së saj është dështim.

“Sot po flasim për një dështim dhe paaftësi dy vjeçare dhe jeni në fund të gjysmës së parë të vitit të tretë fiskal dhe ju me këtë trend ose edhe një vit e gjysmë fiskal që ju ka mbetur, do të jeni dështim, sepse është e pamundur me këtë mentalitet, mënyrë të vepruarit me këtë logjikë, me këtë gllabërim të pushtetit të ketë qeverisje të suksesshme, fatkeqësisht ju jeni fatkeqësia e këtij vendi”- tha ai.

Neni 7-të i marrëveshjes për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi flet për vetmenaxhimin e për të cilën Bashkimi Evropian ka kërkuar nga Kosova që sa më shpejt të filloj hapat për zbatimin e kësaj pike.

“Për të zbatuar Nenin 7, Kosova nis menjëherë negociatat në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për përcaktimin e aranzhimeve dhe garancive specifike, që sigurojnë një nivel të duhur të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, në përputhje me marrëveshjet e mëparshme përkatëse të dialogut, siç përcaktohet nga ndërmjetësuesi i BE-së”- thuhet në aneksin e dakorduar në Ohër më 18 mars.

Kuvendi i Kosovës është duke zhvilluar seancën në të cilën po diskutohet për punën e qeverisë Kurti 2.

Përmbajtja e planit franko-gjerman