Ali Oseku. Foto: Facebook/Albin Kurti.

"Artisti që e mbuloi jetën e vet me ngjyra", Kurti shpreh ngushëllime për vdekjen e piktorit Ali Oseku

Kryeministri Albin Kurti ka shprehur ngushëllime për vdekjen e piktorit Ali Oseku, i cili u nda nga jeta më 03.04.2024 në Tiranë.

Përmes një postimi në Facebook, ai e ka cilësuar të ndjerin si “artisti që e mbuloi jetën e vet me ngjyra”.

Kurti ka shkruar më tej se Oseku, në fillesë të karrierës punoi si skenograf dhe për skenografinë e operas Aida të Verdit u dënua dhe u dërgua të pësonte për disa vite vuajtjet në burgun e Spaçit.

“Në vijim atij iu ndalua ushtrimi i artit, por natyrisht talenti nuk mund të dënohet me vdekje. Baca Ali, kështu njihej prej miqve të Tiranës, të cilët ndjenin se prekja dhe guximi i tij në art vinin prej origjinës së pashlyeshme gjakovare, lindi në Tiranë dhe që aty u dashurua me historinë e artistëve të njerëzimit, ndaj ngjante se çdo tablo ia kushtonte romaneve dhe qyteteve të botës. Ngjante se çdo artist në mendjen e tij ishte një flijues i madh i talentit të vet për bukurinë. Kjo shpjegonte pse baca Ali ishte më së pari profesori i entuziazmit dhe motivues i madh për studentët e tij.  Ngushëllimet e mia familjes, kolegëve të tij artistë, studentëve të tij në breza. Kujtim i paharruar për artin e tij!”- ka shkruar ndër të tjerash Kurti në Facebook.

Piktori Ali Oseku ka lindur në Tiranë (Shqipëri) më 1944, në një familje me origjinë nga Gjakova. Në Tiranë mbaroi liceun artistik dhe Institutin e Lartë të Arteve në vitin 1969. Një kohë punoi skenograf në Teatrin e Opera dhe Balletit. Ndërsa, në vitin 1973 u dënua me burg deri në vitin 1979.

Oseku ishte ndër krijuesit më emblematik të krijuesve pamorë duke lënë pas vetës një krijimtari të begatë pamore.