Artane Rizvanolli: Kemi nevojë për kapacitete të reja të energjisë

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se kanë themeluar një task-force lidhur me krizën energjetike në vend.

Ajo në seancën e Kuvendit të Kosovës ka thënë se Kosova ka nevojë për kapacitete të reja energjetike.

“Para disa javësh kam themeluar task-forcën ku kemi diskutuar situatën me krizën energjetike dhe brenda ditëve del raporti me rekomandime. Kemi nevojë për kapacitete të reja energjetike, jemi duke punuar edhe në formulim të strategjisë për energjinë ku do kërkojmë edhe mbështjen tuaj si shoqëri civile dhe nga partnerë ndërkombëtarë”, ka thënë Rizvanolli.

Lidhur me gazsjellësin amerikan ajo kërkoi që të mos krijohet mendësia e nënshtrimit dhe inferioritetit.

“Për punën e antiamerikanizmit, ju lus të mos e krijoni mendësinë e nënshtrimit dhe inferioritetit ndaj të tjerëve. Të themi ‘kush jemi ne ta refuzojmë këtë’, është e papranueshme për mua, nuk janë kushtëzuar kurrë fondet për këtë projekt. Ka qenë dhe është një bashkëpunim i bazuar në mënyrë të ndërsjellë”, shtoi tutje Rizvanolli.

Lidhur me këto deklarime, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj tha se Kurti ka hequr dorë nga investimi amerikan pasi ka orientim tjetër.

“Kurti ka hequr dorë nga ky investim amerikan prej 200 milionë dollarësh, ju po mundoheni tash t’i ndihmoni. Kryeministri jonë ka orientim të pastër antiamerikan”, tha Haradinaj