Arrestohet një 17-vjeçar, dyshohet për 24 vjedhje

Një 17-vjeçar është arrestuar nga Policia e Kosovës sot nën dyshimet se ka kryer 24 vepra të ndryshme penale kryesisht vjedhje dhe vjedhje të rënda.

“Puna policore e organizuar me veprime specifike operative me qëllim kapjen e personave, për të cilët dyshohej të jenë të përfshirë në disa raste të vjedhjeve dhe vjedhjeve të rënda, sot ka rezultuar me arrestimin e një prej të dyshuarve të implikuar në rastet e tilla. V. B. 17-vjeç, i gjinisë mashkullore, shtetas i Kosovës”, tha për KALLXO.com, zëdhënësi i Policisë Agron Borovci.

Borovci shtoi se ndaj 17-vjeçarit Policia ka filluar një hetim më të gjerë dhe me urdhër të prokurorit të shtetit i njëjti është dërguar në qendrën e mbajtjes për 24 orë, për t’u proceduar më tej.