Ilustrim

Arrestohet 24-vjeçari, raportoi rrejshëm se e kishin plagosur persona të paidentifikuar

Një 24-vjeçar është arrestuar nga Policia në Shkodër.

I dyshuari ishte plagosur aksidentalisht me armë zjarri ndërsa kishte raportuar në Polici se e kishin plagosur disa persona të panjohur.

Përveç 24-vjeçarit, Policia e Shtetit ka njoftuar se ka arrestuar edhe një tjetër person, i cili kishte fshehur dhe tjetërsuar të vërtetën rreth ngjarjes së ndodhur.

“Shtetasi I.M., është vetëplagosur në mënyrë aksidentale, me armë zjarri në bark, jashtë rrezikut per jetën. Ky shtetas në bashkëpunim me shtetasin G. M., kanë fshehur vendin e ngjarjes, kanë inskenuar një variant ndryshe të ngjarjes, duke u përpjekur të ndryshojnë tërësisht rrethanat e ngjarjes, si dhe kanë fshehur provat materiale”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.

Tutje në njoftim jepen edhe detaje se si u zbulua ngjarja nga ana e pjesëtarëve të Policisë.

Sipas të dhënave, dje në mëngjes, në Spitalin rajonal Shkodër u paraqit për ndihmë mjekësore i plagosuri me armë zjarri 24-vjeçari I.M, i cili deklaroi se ishte plagosur me armë zjarri në fshatin Mushan, Shkodër, nga disa persona të paidentifikuar.

Nga hetimet e kryera 24-vjeçari, banues ne fshatin Mushan të Shkodrës, po dyshohet për veprat penale – prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit dhe – veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës, e kryer në bashkëpunim.

20-vjeçari tjetër, banues në fshatin Mushan, po dyshohet për veprën penale – veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.

Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër për veprime të mëtejshme.