Ilustrim

Arrestohen pesë të dyshuar për vjedhje të rëndë dhe grabitje në Viti

Policia e Kosovës ka njoftuar se sot janë arrestuar pesë të dyshuar për vjedhje të rëndë dhe grabitje.

Sipas komunikatës së Policisë, arrestimi i të dyshuarve është bërë në gjashtë lokacione të ndryshme në komunën e Vitisë.

Të dyshuarit janë G.S. (viti i lindjes 2004), M.M. (viti i lindjes 2000), Z.M. (viti i lindjes 2001), A.M. (viti i lindjes 2002) dhe M.B. (viti i lindjes 2001) .

“Me këtë rast është arritur të sigurohen prova se të njëjtit në bashkëveprim kanë qenë të përfshirë në një rast ‘’Vjedhje e rëndë’’ i ndodhur me datën 01.06.2023 dhe në një rast ‘’Grabitje’’ i ndodhur me datën 05.10.2023 në një qendër tregtare në qytetin e Vitisë. Të dyshuarit në këto raste kishin arritur që të vidhnin dhe grabisnin shuma të konsiderueshme të parave të gatshme” – thuhet në komunikatën e organeve të rendit.

Pas arrestimit të dyshuarit janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës.

Prokurori i Shtetit ndaj pesë të dyshuarve ka lëshuar masa e ndalimit për 48 orë dhe ndaj tyre do të ngritët kallëzim penal për veprat penale ‘’Grabitje’’, ‘’Vjedhje e rëndë’’.