Arrestohen pesë kamarierë në Prizren, dyshohen për falsifikim të parave

Policia e Kosovës njofton se Drejtoria Kundër Krimit Ekonomik dhe Korrupsionit si dhe Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prizren, kanë arrestuar pesë persona nën dyshimin e kryerjes së veprës penale “Falsifikim i parasë”.

Sipas Policisë, dyshohet se ata po shpërndajnë para të falsifikuara metalike me vlerë prej dy eurove.

Hetuesit e NJRHKEK në Prizren, kanë bërë kontrollin e katër personave të dyshuar si dhe kanë kryer kontrollin e shtëpisë së personit të pestë të dyshuar, i cili sipas Policisë, cilësohet si i dyshuari kryesor.

“Gjatë kontrolleve të realizuara ndaj personave të dyshuar T.P. (2000), V.Z. (2002), A.P (1999), L.E. (1994), B.B. (1998), janë siguruar prova të mjaftueshme që mbështesin dyshimin se të pesë (5) personat kanë kryer veprën penale “Falsifikim i parasë” nga neni 296 i KPRK-së”, raporton Policia.

Në njoftimin e Policisë thuhet se në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar njëqind e nëntëdhjetë e pesë (195) monedha metalike nga dy (2) euro (të dyshuara si të falsifikuara) dhe pesë telefona mobil të të dyshuarve.

“Bazuar në dëshmitë dhe të gjeturat, të njëjtit dyshohet se janë kryerës potencial të kësaj vepre, ku vetëm gjatë muajit tetor 2021, kanë shkëmbyer herën e parë 300.00 EUR origjinal të fituara për 400.00 EUR false, që i kanë shpërnda, herën e dytë 200.00 EUR origjinal për 300.00 EUR false, si dhe herën e tretë 400.00 EUR origjinal për 550.00 EUR false. Të pesë të dyshuarit në bashkëpunim, me qëllim të përfitimit material, kanë shpërnda para të falsifikuara dhe paratë origjinale të fituara nga vepra penale “Falsifikim i parasë”, i kanë ndarë në pjesë të barabarta, në pesë pjesë”, njofton Policia e Kosovës.

Pas intervistimit të personave të dyshuar, me vendim për ndalim nga prokurori kompetent, të pesë të dyshuarit janë dërguar në ndalim policor për 48 orë, thuhet në njoftimin e Policisë.