Foto: ZKM

Kurti përkujtoi 27 martirët e Tusuzit në Prizren, i bën thirrje Prokurorisë të bëjë gjithçka që të ketë drejtësi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 26.05.2024 ka bërë homazhe në qytetin e Prizrenit te varret e të vrarëve në masakrën e Tusuzit.

Kurti ka thënë se martirët dhe dëshmorët e kombit janë dëshmi e qëndresës, e rezistencës së popullit, e atdhedashurisë dhe gjithashtu edhe dëshmi e krimeve të Serbisë, e krimeve të kryera gjatë luftës, ku bëjnë pjesë krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidi.

Ai ka thënë se nevojitet edhe drejtësia e jo vetëm pavarësia e shtetit.

“Teksa foli për këtë masakër, për të cilën vetëm dy persona mbahen në burg dhe katër të tjerë ndiqen, ai shtoi se numri i ekzekutorëve dhe urdhërdhënësve është shumë më i madh se kaq. Prandaj, me këtë rast ai i bëri thirrje Prokurorisë së shtetit që me fuqinë dhe dijeninë e saj të bëjë gjithçka, në mënyrë që të ketë drejtësi për më të dashurit tanë që mungojnë tash e 25 vite. Sepse drejtësia i mbyllë plagët që kullojnë dhe sjellë paqe të qëndrueshme”- ka thënë ai.

Në njoftim thuhet se në këto homazhe, teksa përkujtoi të rënët e masakrës, Kurti u shpreh se në lapidarin e të rënëve është i skalitur emri i Behar Abdylmexhitit, i cili atë kohë ishte vetëm 17-vjeçar, si dhe Fazile Maqkaj, e cila u dogj e gjallë në karrocën invalidore të saj.