Izrael, përleshje në mes të Policisë dhe protestuesve në protestat antiqeveritare

Policia dhe protestuesit u përleshën në Tel Aviv të shtunën mbrëma pas një dite tubimesh që bënin thirrje për një armëpushim në Gaza dhe për kthimin e të gjithë pengjeve, sipas disa videove të postuara në mediat sociale, raporton CNN.

Në një video shihet policia e hipur në kuaj dhe topat e ujit mund të shihen në sheshin “Demokracia” të Tel Avivit, duke u përpjekur të shpërndajnë turmat që refuzojnë të largohen, duke rezultuar në përleshje të dhunshme.

Policia tha se arrestoi dy persona “për sjellje të çrregullt”, pasi ata dyshohet se u larguan nga vendi i miratuar i demonstrimit në kryqëzimin “Kaplan”, u drejtuan për në kryqëzimin Azrieli dhe ndizën zjarre dhe filluan të thyejnë urdhrin, duke mos iu bindur udhëzimeve të policisë.

Përplasjet pasuan marshime proteste antiqeveritare që u zhvilluan në disa qytete anembanë Izraelit, duke bërë thirrje për lirimin e pengjeve të marra gjatë sulmit të befasishëm të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor dhe për zgjedhje të përgjithshme.

Rreth 250 persona u morën peng gjatë sulmit të papritur të Hamasit më 7 tetor në jug të Izraelit, në të cilin u vranë 1200 njerëz, sipas zyrtarëve izraelitë. Që atëherë, lufta hakmarrëse e Izraelit ndaj Hamasit në Gaza ka vrarë  më shumë se 35,000 palestinezë , sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë në Gaza.

Shumë nga protestuesit në rrugët e Tel Avivit, Haifës, Rehovotit dhe më gjerë të shtunën përmenden kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, duke akuzuar qeverinë e tij për korrupsion dhe duke kritikuar trajtimin e tij të luftës kundër Hamasit.