Pallati i Rinisë dhe Sporteve. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Arrestohen 5 persona, dyshohen për sulm ndaj Policisë dhe dëmtim të sallës në Pallatin e Rinisë

Policia e Kosovës ka arrestuar pesë persona të cilët po dyshohen për veprat penale – sulm ndaj personit zyrtar, dhe asgjësim apo dëmtim i pasurisë.

Sipas njoftimit, më 11 dhjetor rreth orës 18:00, në Pallatin e Rinisë, gjatë një ndeshjeje basketbolli, ka ndodhur një incident, në të cilin tifozët duke dëmtuar sallën, janë gjuajtur mes vete me mjete të forta,  me  ç’rast kanë lënduar katër zyrtarë policorë, të cilët ishin në detyrë, të angazhuar për menaxhimin e situatës.

Nga ana e tifozëve deri tani nuk është raportuar për ndonjë të lënduar.

Më tej, Policia thotë se Njësiti i Hetimeve të Përgjithshme (NjHP), ka punuar për zbardhjen e rastit dhe pas sigurimit të provave është bërë ricilësimi i veprës penale në – pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm.

“Vepër kjo për të cilën hetuesit e NjHP-së, kanë arritur të identifikojnë dhe arrestojnë 5 perona të dyshuar, A.B. mashkull, 30 vjeç dhe A.B. mashkull, 25 vjeç, K.R, mashkull, 31 vjeç, B.M, mashkull, 33 vjeç, dhe F.T, mashkull, 29 vjeç”- njofton Policia.

Tre prej të arrestuarve, sipas Policisë, pas intervistimit me vendim të lëshuar nga prokurori i shtetit, janë dërguar në qendrën e mbajtjes për 48 orë.

Nga ana e hetuesve, në vazhdimësi janë duke u ndërmarrë veprime hetimore me qëllim të identifikimit dhe procedimit  të të gjithë të dyshuarve të përfshirë në këtë rast.