Arrestohen 3 serbë të dyshuar për krime lufte

Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se janë arrestuar 3 persona të nacionalitetit serb me dyshimin për kryerje të krimeve të luftës kundër popullatës civile.

“Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Policia e Kosovës, ka arrestuar sot tre (3) persona të nacionalitetit serb për veprën penale ‘’Krimet e luftës kundër popullatës civile” – thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Veprimet e kryera sipas prokurorisë janë të sanksionuara sipas Federatës Jugosllave, e cila ishte në fuqi kohën e kryerjes së këtyre krimeve dhe sipas Kodit tonë Penal aktual.

“Prokuroria Speciale njofton se tre (3) të arrestuarit akuzohen për veprën penale ’Krimet e luftës kundër popullatës civile, veprime këto të sanksionuara sipas, nenit 142 dhe 22 të Kodit Penal të RSFJ, aktualisht e penalizuar me nenet 31 dhe 153 të KPRK, në kundërshtim me nenin 3 të përbashkët  të 4 Konventave të Gjenevës, të datës 12 gusht 1949, të neneve 4 dhe 5 (1) të Protokollit 2 të datës 08 qershor 1977, shtojcë e Konventave të Gjenevës të vitit 1949, të gjitha rregullat e ligjeve ndërkombëtare në fuqi në kohën e konfliktit të armatosur në Kosovë..” – thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Prokuroria tutje në njoftimin e saj ka bërë të ditur se të njëjtit gjenden nën masën e ndalimit 48 orësh.