Armenia e zhduk simbolin historik për të mos provokuar fqinjët

Nga fillimi i muajit nëntor 2025, udhëtarët në Armeni nuk do ta shohin më imazhin e Malit Ararat të vulosur në pasaportat e tyre. Mali, i cili ndodhet në Turqi, në veriperëndim të kryeqytetit armen, konsiderohet simbol i rëndësishëm historik për shumë armenë. Kryeministri Nikol Pashinian, i cili ka mbështetur ndryshimin e vulave të pasaportave, argumenton se Armenia duhet të shmangë provokimin e fqinjëve të saj, teksa synon të ruajë sigurinë e vet.

Pas një votimi në Qeveri më 11.09.2025, Mali Ararat nuk do të paraqitet më në vulat zyrtare të Armenisë për hyrje dhe dalje. Mali, që përmendet në Bibël, konsiderohet vendlindja e popullit armen. Ai mund të shihet nga Jerevani dhe paraqitet kudo në kulturën armene.

Mali Ararat ishte pjesë e tokave armene në lashtësi, por është pjesë e Turqisë prej një shekulli. Turqia dhe Azerbajxhani kanë kundërshtuar përfshirjen e tij në dokumentet shtetërore armene.

Kryeministri Nikol Pashinian u pajtua, duke thënë se simbolet e tilla mund t’i provokojnë fqinjët e Armenisë. Në gusht 2025, Armenia dhe Azerbajxhani ranë dakord për një marrëveshje paqeje, pas ofensivës së vitit 2023 të Azerbajxhanit për rimarrjen e rajonit të Nagorno-Karabakut, të mbështetur nga Armenia.

Ndërkohë, kryeministri Pashinian po bën përpjekje për normalizimin e marrëdhënieve me Turqinë, por kundërshtarët e tij thonë se ai po bën shumë lëshime ndaj rivalëve të Armenisë.

Kundërshtarët e shohin ndryshimin e vulave të pasaportave si një tjetër lëshim të dhimbshëm. Ndërsa, Pashinian thotë se kjo është pjesë e përpjekjeve për sigurimin e paqes me fqinjët./REL