Foto: Artane Rizvanolli/Facebook

Ankandi i parë solar fotovoltaik në Kosovë, ministrja Rizvanolli fton kompanitë të aplikojnë

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, sot është mirëpritur nga banorët e zonës në tokën e ankandit të parë solar fotovoltaik të Republikës së Kosovës prej 100 MW.

Tokë kjo që gjendet tek Guri i Kuq dhe Kramoviku i Rahovecit.

Kjo vizitë është kryer së bashku me kryetarin e Rahovecit, Smajl Latifi, anëtarë nga USAID Kosova dhe disa nga investitorët potencialë.

Ministrja Rizvanolli tha se banorët ishin entuziastë për investimin që po vjen dhe të lumtur që kjo tokë jobujqësore që me vite nuk ka qenë në shfrytëzim, tani do të shfrytëzohet për të prodhuar energji elektrike të pastër.

E para e Ministrisë së Ekonomisë ka thënë se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar që, në bashkëpunim me USAID, të udhëheqë një proces konkurrues fer e transparent.

Ndër të tjera ajo tha se deri tani kanë pasur numër të madh të kompanive të interesuara, përfshirë kompani ndërkombëtare me përvojë e reputacion të lartë.

“Ftoj të gjitha kompanitë kosovare e ndërkombëtare, dhe mërgatën tonë që të shqyrtojnë dokumentacionin e aplikimit, ta ndajnë me investitorët potencialë dhe të dërgojnë pyetjet eventuale përmes kanaleve zyrtare sipas udhëzimeve” – shtoi tutje ministrja.