Anëtari i Bordit të ZRrE-së: 'Electra' ka shtrirë vetëm një kabëll në parkun solar në Gjakovë

Një hulumtim i gjatë i emisionit ‘Jeta në Kosovë’ zbardh skemën mbi të cilën kompani në pronësi të Blerim Devollit të regjistruara në shtetin e Maltës do përfitojnë nga tarifat nxitëse për prodhimin e energjisë nga dielli.

Hulumtimi zbardh edhe lidhjet e kompanisë “Electra”, në të cilën është bashkëpronar edhe Selman Hoti, anëtari i Bordit të ZRrE-së, me bizneset e Blerim Devollit.

Selman Hoti, anëtari i bordit të Zyrës së Rregullatorit, ka deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsion se ka aksione në një biznes të quajtur “Electra”.

Hulumtimi i “Jeta në Kosovë” zbulon që “Electra” ka qenë kontraktor i dy kompanive të lidhura me Blerim Devollin, “Birra Peja” dhe “Frigo Food”. Saktësisht “Electra” e ka ndërtuar parkun solar në Gjakovë. Këtë punë “Electra” e ka bërë para se Selman Hoti të emërohet si anëtar Bordi në ZRrE.

Hoti në një bisedë me Jeta Xharrën ka thënë se prej se është zgjedhur anëtar bordi, ai ka dhënë dorëheqje nga të gjitha funksionet në kompani. Por Hoti nuk e ka mohuar që është aksionar në kompani.

“Aksionar jam”, ka thënë ai.

Anëtari i Bordit të ZRrE-së, Selman Hoti ka treguar se kompania ku ai është aksionar, “Electra” ka kryer një punë në parkun solar në Gjakovë si nënkrontraktor i kompanive të Blerim Devollit.

“Po, panele solare, që unë s’kam qenë atëherë anëtar bordi, as nuk kam pas lidhje me ZRrE. Ka kryer punë, një kabëll ia ka shtri për me i kyç ato panelet solare, dmth, një pjesë të punës. Një kabëll e ka shtri prej paneleve solare deri te stacioni kryesor në Gjakovë. Nuk është vetëm Blerim Devolli që i përfiton ato projekte. Edhe krejt po të jetë, nuk është faji im”, ka përfunduar Hoti.

“Jeta në Kosovë” ka gjetur se Blerim Devolli, përmes gjashtë bizneseve, do të përfitojë tarifa nxitëse për prodhimin e 16.7 megavatëve nga 30 megavat sa është totali i kapaciteteve të energjisë solare të përkrahura nga shteti. Dy kompani të Blerim Devollit, “Frigo Food Kosova” dhe “Birra Peja” kanë përfituar tarifa nxitëse prej 136.4 euro për megavat nga vendimi i bordit të ZRrE-së i datës 19 maj 2016.

Kurse, me katër biznese të tjera ka përfituar nga vendimi i datës 27 nëntor 2019: “Building Construction Kosove L.L.C”, “Alsi & Co Kosovë”, “Energy Development Group” dhe kompania e katërt është “Devolli Group” të cilës i është ndërruar emri në “Abrazen”.