Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Anëtarët e LV-së kërkojnë që KQZ-ja ta shtyjë për 10 ditë afatin e arritjes së votave nga diaspora

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ),  Sami Kurteshi ka kritikuar këtë institucion për organizimin e votimit jashtë vendit.

“Prej sot është dashur të fillohet me fletëvotimin dhe votimin nga votuesit jashtë vendit. KQZ ende nuk është e përgatitur dhe ka shkelur këtë afat. Është ndër shkeljet më të rënda”, tha ai.

Sipas Kurteshit, brenda vet KQZ-së janë duke bërë përpjekje që të minojnë procesin zgjedhor të 14 shkurtit.

“Por kjo nuk është shkelja e parë në këtë proces zgjedhor të cilin janë duke e minuar haptazi dhe qartazi PDK, LDK, kryesuesja e KQZ-së dhe sekretariati i KQZ-së”, ka thënë Kurteshi në një konferencë për media.

Tutje ai ka kritikuar edhe mënyrën e verifikimit të aplikimit të votuesve nga jashtë.

“Tejkalimi i parë i afatit është bërë në periudhën e kundërshtimit, qysh më datë 25 janar është dashur që të filloj periudha e kundërshtimit të listave të certifikuara të aplikuesve jashtë vendit, kjo është tejkaluar tani më, vonesat me publikimin e listave përfundimtare të votuesve jashtë vendit, verifikimi me telefon ka mbetur dikund rrugës, askush nuk e dinë sa njerëz janë telefonuar”, tha ai.

Sipas Kurteshit këto tejkalime të afateve, bëjnë me dije se KQZ ka kaluar në rrafshin e kryerjes së veprave penale.

Sipas tij, njëra ndër to është cenimi i të drejtës për ushtrimin e mjetit juridik, duke përmendur qytetarët jashtë vendit të cilëve nuk u është dhënë afat për kundërshtim.

Kurteshi ka kërkuar KQZ-së të mundësojë lejimin e arritjes së votave pas zgjedhjeve në Kosovë për 10 ditë.

“Ne kërkojmë publikisht dhe zyrtarisht tani, me gjithë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese që e ndalon këtë, që KQZ-ja të kërkoj dhe të mundësoj lejimin e arritjes së votave pas ditës së zgjedhjeve në Kosovë, pasi që vet KQZ-ja i ka shkelë afatet e veta. Duhet të shtyhet afati i arritjes së votave nga jashtë vendit për 10 ditë”, theksoi ai.

Anëtari tjetër nga LV në KQZ, Alim Rama tha që vonesat për procesin e votimit nga diaspora janë duke u bërë me qëllim.

“Sot me mospublikimin e listës dhe fletëvotimit u pengohet e drejta për të votuar qytetarëve që jetojnë jashtë Kosovës. Kjo pengesë është e qëllimshme dhe me të rrezikohet krejt procesi zgjedhor, sepse vonesa e njërit proces ndikon në të gjitha proceset”, tha ai.

Tutje Rama sqaroi se nëse votuesi e voton subjektin politik dhe 5 kandidatë, atëherë vota është e vlefshme, ani pse disa numra brenda listës nuk janë certifikuar.

Madje sipas tij interpretimet e ndryshme po bëhen vetëm për të shkaktuar huti tek qytetarët.

Sot ka filluar afati për votimin nga diaspora, mirëpo ende në ueb-faqe nuk janë publikuar fletëvotimet.

Për këtë ka reaguar edhe kandidatja për deputete, Donika Gërvalla e cila ka thënë që çdo vonesë në këtë proces është e pafalshme.

“E drejta e votës është e drejtë kushtetuese dhe jo lëmoshë e Vadete Dakës. Sot në mesnatë ka filluar afati për votimin me postë, pra votimin e mërgatës. 10 orë më vonë nuk janë publikuar ende as listat e votuesve dhe as fletëvotimet. Koha është edhe ashtu tepër e shkurtër dhe çdo vonesë e pafalshme”, ka shkruar ajo në Facebook.

Mospublikimi i fletëvotimeve në faqen e KQZ-së, reagon Donika Gërvalla