Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Mospublikimi i fletëvotimeve në faqen e KQZ-së, reagon Donika Gërvalla

Donika Gërvalla ka reaguar ndaj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve pasi edhepse se ka nisur periudha e votimit nga jashtë vendit, ende nuk janë publikuar fletëvotimet në ueb faqen e këtij institucioni.

“E drejta e votës është e drejtë kushtetuese dhe jo lëmoshë e Vadete Dakës. Sot në mesnatë ka filluar afati për votimin me postë, pra votimin e mërgatës. 10 orë më vonë nuk janë publikuar ende as listat e votuesve dhe as fletëvotimet. Koha është edhe ashtu tepër e shkurtër dhe çdo vonesë e pafalshme”, ka shkruar ajo në Facebook.

Gërvalla ka drejtuar akuza ndaj KQZ-së ndërsa ka ftuar qytetarët që ta shfrytëzojnë mundësinë për të votuar.

“KQZ-ja është kthyer në shkelësin më eklatant të Kushtetutës duke iu pamundësuar me forma perfide qindra mijëra mërgimtarëve të japin votën dhe kontributin e tyre për ndryshimin. Kjo nuk është thjesht një shkelje administrative. Ky është një akt skandaloz i varësisë totale politike nga kapësit e shtetit. Ja pse secili dhe secila duhet të dalë më 14 shkurt dhe të japë votën e tij. Ndryshimi po vjen pashmangshëm die po vjen fuqishëm. Nuk ka kush që e ndal, as KQZ-ja”, ka deklaruar kandidatja për deputete në listën e Lëvizjes Vetëvendosje.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në zyrën për media në KQZ rreth mospublikimit të fletëvotimit në ueb faqe por ende nuk kemi pranuar përgjigje.