Foto: Rinia e Nisma Socialdemokrate/Facebook

Aktivistja e Nismës Socialdemokrate emërohet anëtare e bordit të Postës së Kosovës

Qeveria Hoti dje ka emëruar Elda Malokun, Leonard Shabanin dhe Fadil Aliun në bordin e përkohshëm të Postës së Kosovës.

Elda Maloku është aktiviste e Nismës Socialdemokrate.

Maloku shihet në disa prej tubimeve që janë organizuar nga Nisma Socialdemokrate, e cila është pjesë e koalicionit qeverisës.

KALLXO.com ka kontaktuar Malokun për ta pyetur për emërimin në bordin e Postës së Kosovës dhe përkatësinë politike. Por Maloku ka refuzuar të përgjigjet.

“Më fal nuk kam kohë. Gjithë të mirat, ditën e mirë”, ka deklaruar Maloku për KALLXO.com.

Foto: Rinia e Nisma Socialdemokrate/Facebook

Qeveria e Kosovës sot ka emëruar bordet e përkohshme të ndërmarrjeve Infrakos, Posta e Kosovës si dhe të Trepçës.

Më 11 korrik të këtij viti Qeveria e Kosovës ka hapur konkurs për borde të drejtorëve për 11 ndërmarrje publike.

Shumica e këtyre ndërmarrjeve për të cilat ka hapur konkurs Qeveria e drejtuar nga Avdullah Hoti, kanë borde të përkohshme.

KALLXO.com kishte raportuar se partitë të cilat kanë qenë pjesë e koalicionit qeverisës, PDK-AAK-Nisma Socialdemokrate kishin ndarë ‘hisen’ në tri pjesë në Bordin e Postës së Kosovës. 6 anëtarët e bordit të Postës së Kosovës kanë qenë: Halit Isufi, kryesues; Hysen Fazliu, anëtar; Rushan Ceka, anëtar; Zelfije Pllana, anëtare; Nuhi Provoliu; anëtar dhe Ylber Zabërgja, anëtar.

Në raportin e monitorimit të rekrutimit të publikuar nga BIRN thuhet se së paku 5 nga 6 anëtarët e këtij bordi kanë pasur lidhje apo kanë qenë të afërt me koalicionin PAN.

Më 2 prill, Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Albin Kurti, kishte marrë vendim për shkarkimin e bordit të Postës së Kosovës dhe emërimin e bordit të përkohshëm të kësaj ndërmarrje publike.

Anëtarët e bordit të përkohshëm të Postës së Kosovës të emëruar nga Qeveria Kurti ishin: Mentor Arifaj, kryesues dhe drejtor; Kujtim Shala, drejtor; Sajmie Thaçi, drejtore dhe Blerton Abazi, drejtor.

Bordet e përkohshëme të ndërmarrjeve Posta e Kosovës, Infrakos dhe Trepça janë emëruar për shkak se bordeve të përkohshme të emëruara nga Qeveria Kurti në muajin prill i ka skaduar mandati.

Dje KALLXO.com kishte raportuar se edhe njëri nga anëtarët e emëruar në bordin e përkohshëm të Trepçës, Esat Peci, ka qenë asamblist i AAK-së në Mitrovicë.