Bordi i kundërligjshëm i Postës së Kosovës

Të paktën 3 nga 6 anëtarët e bordit të drejtorëve të Postës së Kosovës kanë lidhje politike me partitë në pushtet. Dy prej tyre me PDK-në dhe një me AAK-në.

6 anëtarët e bordit të Postës së Kosovës janë: Halit Isufi, kryesues, Hysen Fazliu – anëtar, Rushan Ceka – anëtar, Zelfije Pllana – anëtare, Nuhi Provoliu – anëtar dhe Ylber Zabërgja – anëtar.

Halit Isufi që është kryesues i bordit të drejtorëve të Postës së Kosovës në profilin e tij në Facebook ka fotografi me Kadri Veselin, kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës.

Ai ishte votuar për të qenë pjesë e Kuvendit Komunal të Gjakovës këtë mandat, por tani në ueb-faqen e Komunës së Gjakovës nuk figuron emri i tij.

Isufi kishte qenë kandidati i tretë më i votuar në listën e PDK-së në Gjakovë. Ai kishte marrë 409 vota në zgjedhjet e 22 tetorit.

Halit Isufi madje ka edhe një faqe në Facebook me emër “Halit Isufi PDK Gjakovë”.

Kryesuesi i bordit te Postes Halit Isufi dhe Kadri Veseli Foto: Facebook

Përveç me Veselin, Isufi ka foto edhe me figura të tjera të PDK-së, si me presidentin e Kosovës Hashim Thaçi që në të kaluarën kishte qenë në krye të PDK-së, me deputetë të kësaj partie.

Në një bisedë për Gazetën Jeta në Kosovë, Isufi e ka konfirmuar që është pjesë e bordit të Postës së Kosovës që nga vitit 2012.

Ai e ka konfirmuar gjithashtu që ka qenë kandidat për asamble dhe ka dhënë dorëheqje.

“Unë kam qenë kandidat për asamble nga PDK-ja, por kam dhënë dorëheqje për shkak të konfliktit të interesi me një kërkesë të Agjencisë Kundër Korrupsionit.

Ndonëse Ligji për Ndërmarrje Publike thotë se në 36 muajt e fundit, nuk duhet të ketë pasur pozita politike, Isufi është i bindur se s’ka rënë ndesh me Ligjin.

“Unë s’kam ra ndesh me ligjin për Ndërmarrjen Publike, e konflikt interesi kam pas dhe kam dhanë dorëheqje. Unë jam anëtar i PDK-së, por nuk jam në pozita vendimmarrëse, e as kandidat për ndonjë pozitë në PDK”, tha Isufi për Gazetën Jeta në Kosovë.

Rushan Ceka, është anëtari tjetër i Bordit të drejtorëve të Postës së Kosovës.

Në profilin e tij në Facebook, Ceka ka shpërndarë fotografi nga festa e PDK-së në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, ku zyrtarë të PDK-së e simpatizant të kësaj të fundit ishin mbledhur për të festuar rizgjedhjen e Kadri Veseli në krye të PDK-së edhe për një mandat.

I kontaktuar nga Gazeta Jeta në Kosovë, Ceka e ka konfirmuar se është anëtar i PDK-së që nga themelimi i saj, ndërsa në bordin e drejtorëve të Postës së Kosovës është për më shumë se 3 vite.

“Unë jam anëtar bordi në Postën e Kosovës që pothuajse 3 vite e gjysëm. Ndërsa në PDK kam qenë anëtar prej fillimit, por tash jam pasiv. Kam qenë kur është mbajtur ai tubimi. Pse merr pjesë me një takim nuk është kurgjë. Unë në struktura s’kam qenë. Unë mundem me shku edhe në parti tjera”, tha Ceka.

Ai e ka përjashtuar mundësinë se është ndihmuar nga partia që ai është anëtar për tu bërë pjesë e bordit.

“Jo, nuk më ka ndihmuar PDK-ja. Unë jam doktor-shkence me titull dhe kam qenë ma i miri në intervistë edhe me vota. E kam merituar bile të jem edhe kryesues i Bordit. Unë kam shumë certifikate dhe jam doktor shkence”, tha Ceka.

Anëtari tjetër i bordit të drejtorëve të Postës së Kosovës, Nuhi Provoliu. Ai është shumë aktiv në rrjetet sociale. Në baza ditore shpërndanë në Facebook fotografi dhe aktivitete të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

Provoliu shpërndanë edhe njoftime, lajme e fotografi që lidhen me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, degën e kësaj partie në Kaçanik e Kryeministrin Haradinaj.

Nuhi Provoliu kishte qenë edhe kandidat për këshilltar komunal të AAK-së në zgjedhjet e fundit komunale ku kishte marrë 105 vota.

Provoliu për Gazeten JnK e ka pranuar se ka qenë kandidat i AAK-së për asamble komunale dhe se është pjesë e partisë së kryeministrit.

Ai ka thënë se ka aplikuar për anëtar në dy borde, por ende nuk ka pranu asnjë njoftim për përzgjedhje nga ana e qeverisë.

Ligji për Ndërmarrjet Publike në Kosovë e thotë qartë se cilët kandidatë mund të emërohet në pozitën e drejtorit të bordeve të Ndërmarrjeve Publike.

Neni 17 i kësaj ndërmarrje e thotë se anëtari i bordit të ndërmarrjes duhet të jetë i pavarur.

Sipas këtij ligji, një kandidat nuk është i pavarur nëse në 36 muajt e fundit (3 vitet e fundit) ka pasur pozitë politike, kandidat për tu zgjedhur apo i emëruar politik.

“Të gjithë drejtorët përveç KE duhet të jenë të pavarur. Një person nuk konsiderohet i pavarur dhe nuk kualifikohet për zgjedhje si drejtor në një NP nëse: është ose në çfarëdo kohe gjatë periudhës 36 muajsh para datës së aplikimit ka qenë (i) zyrtar i zgjedhur publik, (ii) i emëruar politik ose (iii) bartës i një posti udhëheqës ose vendimmarrës në një parti politike;”, thuhet në nenin 17, pika 2, parafargrafi K.

Agjencia Kundër Korrupsionit, më 2016 kishte dhënë një opinion ligjor për këtë pikë të ligjit, se kush mund të cilësohet si i emëruar politik.

Sipas AKK-së, secili drejtor i zgjedhur në pozita udhëheqëse duhet të ishte i pavarur dhe jashtë strukturave politike, po ashtu ai duhet të ishte i përgatitur profesionalisht për ushtrimin e pozitës udhëheqëse.

Gjithashtu, Agjencia Kundër Korrupsionit, në po këtë opinion kishte sqaruar edhe pjesë “I emëruar politik”. Sipas AKK-së kjo; “Nënkupton personin i cili është emëruar, ose propozuar nga subjekti politik si kandidat për një post të zgjedhur”.

Provoliu në zgjedhjet e fundit komunale, që janë mbajtur më 22 tetor ka qenë kandidat i AAK-së për këshilltar komunal në qytetin e Kaçanikut.

Nuk janë bërë ende dy vite prej që Provoliu ka qenë i propozuar nga një subjekt politik si kandidat për një post të zgjedhur.

I njëjti sqarim i Agjencisë Kundër Korrupsionit vlenë edhe për Halit Isufin që ka qenë kandidat për këshilltar komunal në Komunën e Gjakovës.

Gazeta Jeta në Kosovë i ka shkruar zyrës së Kryeministrit për të kërkuar CV e drejtorëve të Bordit të Postës së Kosovës, por ata ende nuk janë përgjigjur. Madje,Qeveria e Kosovës i ka mbajtur të fshehur emrat e anëtarëve të bordeve të disa ndërmarrjeve publike të emëruar në mbledhjen e fundit të qeverisë.