Aktakuza ndaj dy ish-zyrtarëve, prokurori i shtetit e vlerëson si pengesë në integrimin e Kosovës në BE

Në Gjykatën e Prishtinës është mbajtur seanca dhe fjala përfundimtare ndaj të Xhelil Bekteshit dhe Besim Tahirit, të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Të akuzuarit Xhelil Bekteshi dhe Besim Tahiri kanë qenë zyrtar në Ministrinë e Infrastrukturës.

Në këtë seancë, prokurori Bashkim Zeqa në fjalën e tij përfundimtare deklaroi se veprat e të akuzuarve ndikojnë në integrimin e Kosovës në BE.

“Vepra penale është e natyrës së korrupsionit kundër këtyre zyrtarëve, këto vepra paraqesin pengesë në integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian” – tha Zeqa.

Tutje ai i propozoj gjykatës që Bekteshin dhe Tahirin t’i shpallë fajtorë dhe t’i dënojë sipas ligjit, sepse sipas tij është provuar se të njëjtit janë fajtorë.

Mbrojtësi i të akuzuarit Xhelil Bekteshi, avokati Skender Musa në fjalën e tij deklaroi se mos liberalizimi i vizave është problem të cilin e shkaktojnë mos hetimi i çështjeve në mënyrë profesionale.

“Liberalizimin e vizave po e pengon mos-hetimi çështjeve në mënyrë profesionale nga organet e ndjekjes dhe të akuzës dhe paraqitja e këtyre aktakuzave kaq të dobëta, kaq të pabazuara e shpesh herë në bazë të direktivave të institucioneve jo kompetente, organeve ekzekutive që duhet të jenë jashtë sistemit të hetimeve dhe institucioneve të tjera të drejtësisë” – tha avokati Musa.

Së fundmi avokati Musa i propozoi gjykatës që Xhelilin ta lirojë në mungesë të provave.

Po ashtu edhe mbrojtësi i Tahirit, avokati Adem Vokshi tha se aktakuza nuk përmban elemente themelore dhe i propozoj gjykatës që Tahirin ta shpallë të pafajshëm.

Më 29 janar të vitit 2018, Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte ngritur aktakuzë ndaj Xhelil Bekteshit me pretendimin se i njëjti ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

I akuzuari Xhelil Bekteshi, sipas kësaj aktakuze thuhet se derisa ishte në cilësinë e sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Infrastrukturës kishte tejkaluar kompetencat tij si person zyrtar.

Në aktakuzë thuhet se Bekteshi e kishte obliguar zyrtaren (arkivisten) V.R. që në librin e protokollit të regjistronte vendimin me të cilin ishte ndërruar kryetarja e Komisionit për vlerësimin e ofertave për projektin “Zgjerimi i Rrugës Nacionale N-9” segmenti Gjuregjicë – Kijevë, duke regjistruar vendimin me datën 23 maj 2016, në vend të datës reale 26 qershor 2016.

Sipas aktakuzës ky ndryshim i datave ishte bërë me qëllim që tenderi t’i jepej operatorit ekonomik me çmim të lartë 991,418 euro, ndërsa operatorit tjetër ekonomik i cili kishte prezantuar çmim më të ulët se ky operator ishte eliminuar.

Ndërsa për të akuzuarin Besim Tahiri, aktakuza thotë se në cilësinë e personit zyrtar, si Ushtrues i Detyrës së Drejtorit në Divizionin e Prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës kishte shfrytëzuar detyrën zyrtare duke tejkaluar kompetencat për të ushtruar ndikim te kryetarja e komisionit Erëza Arifi, që e njëjta ta ndërrojë raportin e vlerësimit të tenderit të datës 2.5.2016, duke e obliguar atë të paraqes kërkesë me shkrim që të tërhiqet nga komisioni dhe të bëhet ndryshimi i vendimit të datës 29.4.2016, me qëllim që tenderi t’i jepet kompanisë “Sallahu” edhe pse për nga çmimi ishte më i shtrenjtë.

Lidhur me këtë rast Gjykata Themelore e Prishtinës Bekteshin e Tahirin i ka shpallur fajtorë për veprën për të cilën janë akuzuar, por që rasti është kthyer në rigjykim.

Atyre iu ishte shqiptuar dënim plotësues, ndalim i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose shërbim publik, në kohëzgjatje prej 2 viteve, edhe atë pas mbajtjes së dënimit me burgim.

Ish-zyrtarët janë obliguar nga Gjykata e Prishtinës që t’ia kompensojnë Ministrisë së Infrastrukturës dëmin në vlerë 29,828 euro.

Tutje ky rast është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit  dhe tani pritet të vendoset për fatin e tyre.