Aksion antikontrabandë në Zveçan dhe Leposaviq - FOTO

Një aksion antikontrabandë i Policisë dhe i Doganës së Kosovës ka rezultuar me konfiskimin e pijeve të ndryshme alkoolike dhe artikujve ushqimorë në fshatin Zhitkovc të Komunës së Zveçanit në afërsi të Leposaviqit.

“Ky operacion i përbashkët ka ardhur pas përpunimit e trajtimit të disa informacioneve se në pjesën veriore të vendit po kryheshin aktivitete të paligjshme. Policia ka kontrolluar një lokacion në Zhitkovc të Zveçanit dhe në një lokacion tjetër në hyrje të Leposaviqit”, ka njoftuar Policia.

Siç njofton Policia, në të dy lokacionet ku janë kryer kontrolle janë hasur një sasi e konsiderueshme e mallit që dyshohet të jetë kontrabanduar.

“Dogana e Kosovës e ka konfiskuar mallin që kryesisht ishin artikuj ushqimor, në sasi më të madhe pije alkoolike (birra të brendeve të ndryshme, raki, verë, vodka etj.), por edhe çokolata, coca-cola e gjëra tjera të cilat janë evidentuar një njësitet e doganës”, thuhet në njoftim.

Tutje është bërë e ditur se Policia në bashkëpunim me doganën do të vazhdojë aktivitetet me qëllim që të parandalojnë aktivitete kriminale ndër kufitare duke bërë që mallrat që hyjnë në Republikën e Kosovës të jenë të kontrolluara në mënyrë që të jenë të sigurta për konsumimin nga qytetarët, por edhe t’i kalojnë procedurat e tatimeve të parapara sipas ligjeve të vendit.