Akreditohet programi i parë i doktoratës së përbashkët në shkencat e edukimit në UP

Programi i parë i doktoratës së përbashkët (double degree) në shkencat e edukimit në Universitetin e Prishtinës është akredituar për herë të parë në Kosovë.

“Programi do të ofrohet nga Fakulteti i Edukimit në Universitetin e Prishtinës, në bashkëpunim me Fakultetin e Edukimit në Universitetin e Lubjanës, në Slloveni dhe në përmbyllje të studimeve, studentët do të pajisen me diplomë duale” – njofton UP.

Kjo është hera e parë që në Kosovë ofrohet një program i tillë, që siç thotë UP njëkohësisht përbën një mundësi të jashtëzakonshme për të gjithë ata që duan të avancohen në fushën e arsimit nga Kosova, Shqipëria dhe rajoni.

UP ka falënderuar Fakultetin e Edukimit dhe menaxhmentin e tij për këtë arritje.