Agjencia Kosovare e Privatizimit. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

AKP uli qiratë tek NSh “Urata në likuidim”, pa miratim të bordit

Tek ndërmarrja shoqërore “Urata në likuidim”, Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) uli qiranë pa miratim nga bordi i kësaj agjencie, duke reflektuar kështu trajtim të pabarabartë të qiramarrësve dhe zvogëlim të fondeve nga ky lloj i të hyrave.

“Tek “NSh Urata në likuidim” në dy raste kemi vërejtur që është zbritur/ulur çmimi qirasë pa miratim të Bordit. Aneks kontrata e qirasë me nr. 35765/2021 e dt.04.03.2021 për sipërfaqen prej 45m2, nga 122.07€ është zvogëluar në 82.47€. Gjithashtu, aneks kontrata e qirasë me nr. 35766/2021 e dt.04.03.2021 për depo me sipërfaqe prej 385m2 nga sa ishte 100€ është zvogëluar në 67.56€. Si rezultat i kësaj ky zvogëlim është aplikuar për periudhën 1 janar 2021 deri më 31 tetor 2021 (10 muaj), përderisa prej 1 nëntor është korrigjuar (është kthyer në çmimin e mëparshëm)”, thuhet në gjetjen e raportit

Raporti bën të ditur se nga monitorimi i dobët i aktiviteteve të autoritetit likuidues nga nivelet përkatëse sipas organogramit, neglizhenca për të aplikuar kontrollet nga autoriteti i likuidimit, ka reflektuar në anashkalimin e procedurës për miratim nga nivelet relevante, Bordit të Drejtorëve.

Tutje sipas raportit mësohet se nga anashkalimi i procedurës së miratimit nga Bordi, ka reflektuar me trajtim të pa barabartë të qiramarrësve, dhe ka rezultuar me zvogëlim të fondeve nga të hyrat që shërbejnë për mbulimin e obligimeve ndaj kreditoreve, apo zvogëluar vlerën e aseteve të NSH-së në likuidim, andaj bordit të AKP ju rekomandua që të siguroj që rregulloret po zbatohen.

“Bordi i Drejtorëve të AKP-së duhet të siguroj se kontrollet e vendosura bazuar në rregullat në fuqi, janë duke u zbatuar. Monitorimi i aktiviteteve të autoritetit të likuidimit të fuqizohet me qëllimin që çdo ndryshim i çmimit të qirasë të përcillet paraprakisht, për miratim të Bordit”, rekomandon raporti.

Rregullorja nr.5/2020 për qiradhënien e aseteve të ndërmarrjeve shoqërore neni 9 lidhja e kontratës pika 4 përcakton: ndryshimi i kontratës së qirasë  në aspektin e subjektit qiramarrës apo çmimit të qirasë kërkon miratimin e Bordit.

Nga menaxhmenti i AKP-së janë pajtuar me gjetjen e raportit.

Për më tepër, nëpërmjet letrës së konfirmimit, të datës 24 qershor 2022 nga zëvendësuesi i Drejtorit Menaxhues Avni Jashari,  konfirmohet se e ka pranuar raportin dhe është pajtuar me të gjeturat e raportit pa ndonjë koment për përmbajtjen e raportit të auditimit “Raporti i auditimit për pasqyrat vjetore të fondit të mirëbesimit për vitin 2021”.