Akademia e Shkencave dhe Arteve zgjedh anëtarë të rinj

Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës ka zgjedhur sot tre anëtarë të rinj- korrespodentë dhe tre të jashtëm.

Nysret Krasniqi, Shkumbin Munishi dhe Besnik Krasniqi janë zgjedhur sot anëtarë korrespodentë të akademisë nga Kuvendi i ASHAK-ut. Ndërsa, Abdylmenaf Bexheti, Brian D. Joseph dhe Irena Sawicka janë zgjedhur anëtarë të jashtëm.

ASHAK, përmes një komunikate për media ka njoftuar se sot Kuvendi i këtij institucione ka zgjedhur anëtarët e saj të rinj.

“Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës njofton se më 22 dhjetor 2020 në Kuvendin zgjedhor të saj zgjodhi anëtarët e rinj, të rregullt, me korrespondencë dhe të jashtëm”, thuhet në njoftimin e ASHAK-ut.

Sipas njoftimit, anëtarë të  rregullt- akademikë janë zgjedhur: Kujtim Shala nga Seksioni i Gjuhësisë dhe i Letërsisë; Edi Shukriu, Justina Sh. Pula dhe Muhamedin Kullashi nga Seksioni i Shkencave Shoqërore.

Deri tani këta akademikë mbanin titullin anëtarë korrespodentë.

Ndërkaq, anëtarë të rinj – korrespodentë janë zgjedhur: Nysret Krasniqi dhe Shkumbin Munishi nga Seksioni i Gjuhësisë dhe Letërsisë, dhe Besnik Krasniqi nga Seksioni i Shkencave Shoqërore.

Kuvendi i ASHAK-ut gjatë Kuvendit të sotme ka zgjedhur edhe tre anëtarë të jashtëm: Abdylmenaf Bexheti, Brian D. Joseph dhe Irena Sawicka.

Zgjedhjet për anëtarë të ASHAK-ut bëhen çdo 4 vjet.

Propozimet për anëtarë të rinj bëhen nga këshillat e fakulteteve të universiteteve publike dhe këshillave shkencorë të instituteve që financohen nga buxheti i Republikës së Kosovës.

Sipas ligjit për Akademinë, anëtar i ASHAK-ut mund të zgjidhet punonjësi i shkencës ose i artit, shtetas i Kosovës, i cili ka krijuar vepra shkencore ose artistike të një rëndësie të veçantë.

Të qenit anëtar i Akademisë është i përjetshëm.