Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës - AGK. FOTO: AGK/Facebook.

AGK: Kërcënohen me vrasje gazetarët e Plus TV në Viti

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka njoftuar se se gazetarët e Plus Tv nga Vitia, Fatos Hetemi dhe Irfan Maliqi, janë kërcënuar me vrasje.

Sipas njoftimit, të njëjtit, mesazhet kërcënuese me vrasje i kanë pranuar nga një llogari në rrjetin social Facebook, pas shkrimeve të fundit të kësaj medie lidhur me dy xhamitë në Komunën e Vitisë.

“Mesazhet kërcënuese me vrasje janë në drejtim drejtorit Fatos Hetemi dhe gazetarit Irfan Maliqi nga PlusTV…Këto kërcënime ndërlidhen me serinë e raportimeve të televizionit Plus lidhur me problemet e shqetësimet që kanë të bëjnë me xhamitë në Skifteraj dhe Ramnishtë, në këtë komunë, pasi Bashkësia Islame e Vitisë, në kuadër të BIK-ut, thotë se dy xhamitë, njëra në fshatin Skifteraj dhe tjetra në Ramnishtë, janë jashtë kontrollit dhe menaxhimit të BIK-ut dhe se frekuentohen nga njerëz të dyshimtë”- thuhet në njoftim.

Tutje thuhet se Plus TV ka njoftuar se për kërcënimet i kanë njoftuar Policinë e Kosovës në Rajonin e Gjilanit.

AGK e ka vlerësuar shumë serioz dhe të rrezikshëm kërcënimin dhe e dënon atë në termat më të fortë.

Po ashtu, Asociacioni e ka ftuar Policinë e Kosovës të kujdeset për sigurinë e gazetarëve dhe stafit tjetër të televizionit dhe të punojë intensivisht për identifikimin dhe arrestimin e personit përgjegjës për kërcënimin.