AGK: Deputetët e VV-së kanë bërë presion publik ndaj gazetares së RTK-së që bojkotoi konferencën e ministres Hajdari

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës thotë se disa deputetë të Vetëvendosjes kanë bërë presion publik ndaj gazetares së RTK-së, Edona Podvorica, e cila e ka bojkotuar konferencën për shtyp të Ministres së Industrisë, Rozeta Hajdari.

Konferenca e ministres Hajdari, dje u bojkotua nga shumica e gazetarëve, të cilët u larguan pasi ministrja filloi fjalimin e saj.

“Deputeti Valon Ramadani ka shkruar se “si duket, ky institucion i qenka shmangur obligimit ligjor, duke mos qëndruar në konferencën e Ministres Rozeta Hajdari”. Në vijë të njëjtë ka shkruar edhe deputeti tjetër i Vetëvendosjes, Enver Dugolli, kurse të tjerë eksponentë të partisë në pushtet i kanë bërë jehonë këtyre qëndrimeve duke kërkuar largimin nga puna të gazetares” – ka shkruar AGK.

Asociacioni është shprehur i shqetësuar lidhur me këtë dhe thotë se ky bojkot është formë legjitime e protestës së gazetarëve dhe medieve.

AGK ka ftuar partinë në pushtet të mos bëjë presion ndaj gazetarëve të mediumit publik dhe menaxhmentin e RTK-së që të mos ndikohet nga siç ka thënë, presioni i pushtetit në raportim me veprimin e ekipit të vet në terren.

Bojkotimi i konferencës nga gazetarët ka ardhur në shenjë revolte të vendimit të MINT-it për pezullimin e certifikatës së biznesit të televizionit Klan Kosova.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës me mbështetjen e medieve dhe organizatave të shoqërisë civile, të hënën e 31 korrikut ka mbajtur protestë në Prishtinë, kundër këtij vendimi.

Rasti i pezullimit të kësaj certifikate është pranuar në Gjykatën Komerciale të Kosovës, përkatësisht në Dhomat e Shkallës së Parë më 1 gusht 2023, dhe e njëjta do t’i ndahet gjyqtarëve të departamentit përkatës sipas shortit të ndarjes së lëndëve në ditët në vijim.